E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtimi i gazit, Shoqata vendos bllokimin e shitjes

TIRANE-Shoqata e gazit ka njoftuar sot se do të bllokojë shitjen e gazit si mënyrë kontestimi ndaj problemi të Petroliferas me organet tatimore. Kreu i Shoqatës së gazit, Ilir Brokaj sjell këtë lajm jo fort të mirë për konsumatorët shqiptarë të gazit që e përdorin gazin për ngrohje në këto ditë tepër të ftohta dimri. Brokaj theksoi se kjo cështje kërkon ndërhyrjen e qeverisë ndërsa kërcënon se Shoqata do të bëjë kallzim penal ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Gazmir Spahija. Brokaj theksoi se sot 3 furgona të tatimorëve kanë bllokuar furnizimin me gaz dhe se kjo situatë është bërë e pamundur për Kompaninë, Shoqatën dhe konsumatorin. Dëmi aktual i shënuar nga ky bllokim që tatimorët po i kryejnë Petriliferas është rreth 3 milionë euro, theksoi Brokaj.

Petrolifera dhe ngërci me Tatimet
Pak ditë më parë ishte e përditshmja Gazeta Shqiptare që parlajmëroi se investimi i huaj 50-milionë eurosh i "Petroliferës", si pikë depozitimi e hidrokarbureve në Vlorë, rrezikon të mbyllë dyert përballë një presioni arbitrar nga administrata e lartë tatimore. Burime nga kompania thanë për Gazetën Shqiptare se presioni është kryer drejtpërsëdrejti nga drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Gazmir Spahija, i cili synon të imponojë regjimin e kuponave fiskalë në sistemin e depozitave të naftës e gazit, ndonëse kompania as nuk shet dhe as nuk blen hidrokarbure.
"Ne shërbejmë vetëm si pikë magazinimi për mallrat e të tjerëve. Nuk mund të lëshojmë kupona tatimorë vetëm për të përcjellë mallra të të tretëve, klientëve tanë, që depozitojnë dhe pastaj tërheqin produktet e tyre", thekson një nga administratorët e huaj të kompanisë. Ai shton se kompania, në përputhje me ligjin dhe kontratat me shtetin shqiptar, kryen vetëm veprimtari, që nuk përfshin transaksionet e shitblerjes dhe për këtë paguan detyrimet përkatëse. Po të lëshonim kupona fiskalë me NIPT-in tonë, shteti shqiptar do të kishte të drejtën të na akuzonte për nxjerrje të dokumenteve të falsifikuara, vijon ai më tej, pasi në asnjë akt nuk parashikohet një gjë e tillë për magazinat doganore e tatimore, që kanë një autorizim të posaçëm nga shteti për të "strehuar" mallra të të tjerëve, të cilat taksohen vetëm nga momenti kur dalin jashtë territorit të magazinës.

E perditshmja Gazeta Shqiptare publikon sot se më datë 5 janar të këtij viti, Drejtoria e Tatimeve ka kryer inspektim, duke mos konstatuar asnjë shkelje në veprimtarinë financiare të kompanisë.

Por, tri ditë më pas, më 8 janar, një grup tjetër kontrolli vendos gjobë për mungesën e regjistruesve, duke cilësuar "Petroliferën" si një subjekt import-eksporti, çka nuk është e saktë: kompania nuk kryen aktivitet tregtar. Veç gjobës, janë ndaluar të gjitha maunet të lëviznin ngarkesën e klientëve jashtë territorit të terminalit, duke shkaktuar probleme të mëdha në furnizimin normal të tregut me karburant.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›