Halimi: Ina Rama arrogante, mund ta rithërresim sërish
Komisioni hetimor parlamentar ka akuzuar kryeprokuroren Ina Rama për refuzim flagrant të Kushtetutës, duke paralajmëruar se sjellja e saj do t’i rekomandohej Kuvendit të Shqipërisë
Arrogancë e refuzim flagrant. Kështu u cilësua largimi i papritur i kryeprokurores Ina Rama nga anëtarët e Komisionit hetimor për ngjarjet e 21 janarit. Kreu i këtij komisioni, Eduard Halimi, ka deklaruar fill pas largimit të Ramës se komisioni do të investohet për të parë mundësinë e rithirrjes së Kryeprokurores. “Hetimi parlamentar do të vazhdojë edhe me institucione të tjera, por ky Komision do të shikojë me shumë vëmendje mundësinë që zonja Rama të paraqitet sërish, në një seancë tjetër. Ne do ta shohim këtë çështje dhe në vijim të të dhënave që do marrin, në momentin që do të hapim hetimin, nëse ne do ta çmojmë si të domosdoshme ardhjen përsëri të zonjës Rama para këtij Komisioni, ashtu siç parashikohet në Kushtetutë”, - ka deklaruar deputeti Halimi, njëherësh dhe kreu i Komisionit. Përpara kësaj deklarate, Halimi ka lënë të nënkuptohet se pas veprimit të Kryeprokurores, e cila refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve, Komisioni me shumë gjasë mund të marrë dhe veprime që shkojnë përtej pyetjes së titullarëve të institucioneve. “Të jeni të bindur, se ky Komision do të bëjë të gjitha rekomandimet e duhura për Kuvendin e Shqipërisë. Komisioni parlamentar që ne kemi ngritur, të nderuar kolegë, përfshin një numër të gjerë institucionesh. Unë dua t’u bëj të qartë kolegëve, medias, opinionit publik se ky hetim do të vazhdojë në të gjitha institucionet. Do të vazhdojë edhe në seancë tjetër dëgjimore me të gjitha institucionet që ne kemi kërkuar të vijnë. Sepse të gjithë janë të barabartë para ligjit”, - tha Halimi. Më tej, kreu i Komisionit e ka konsideruar qëndrimin e Kryeprokurores tërësisht të pabazuar, pasi, sipas tij, objekti i komisionit parlamentar nuk interferon në asnjë pikë dhe në asnjë moment me hetimin penal që po zhvillon Prokuroria. “Është detyrim primar për t’iu përgjigjur këtij Parlamenti, e kanë ata titullarë institucionesh që kanë dalë nga ky Parlament. Zonja Prokurore e Përgjithshme është emëruar nga ky Parlament dhe sigurisht është betuar se do zbatojë ligjin dhe Kushtetutën. Por është betuar gjithashtu se do të respektojë institucionet, institucionin i cili e ka votuar. Kjo tregon një mungesë respekti të pashembullt. Burra të fuqishëm mbi tokë kanë shkuar edhe në Parlamente të tjera në vende të tjera. Shumë më të fuqishëm se zonja dhe kanë raportuar. Situata të tilla absurde si kjo, mendoj se japin shembullin më të keq të mosrespektimit, arrogancës dhe shmangien e përgjegjësive ligjore”, - deklaroi Halimi. Nga ana tjetër, anëtari i Komisionit, Viktor Gumi, ka pretenduar dje se Kryeprokurorja ka shkelur ligjin për funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare. “Neni 53 pika 4 thotë se Prokurori i Përgjithshëm bashkëpunon me komisionet hetimore të Kuvendit, sipas dispozitave ligjore ne fuqi, ligji për komisionet hetimore. Do të hyjë në historinë e parlamentarizmit si një prej atyre pikave ku refuzohet në mënyrë të hapur bashkëpunimi në këtë aspekt. Refuzohet ftesa për të bashkëpunuar”, - deklaroi dje Gumi. Anëtari tjetër Enkelejd Alibeaj e ka konsideruar si një veprim dhe injorim flagrant që, sipas tij, Kryeprokurorja i ka bërë Parlamentit. “Lënien e karriges bosh nga ana e Kryeprokurores e konsideroj si një refuzim flagrant që një titullar i një institucioni kushtetues mund t’i bëjë organit më të rëndësishëm kushtetues. Zonja Kryeprokurore ka të drejtë të mos përgjigjet për çështje që i konsideron se interferojnë me veprimtarinë hetimore parlamentare. Me shumë xhentilesë, mund të thotë që kjo çështje bën pjesë në rrethin e veprimtarisë hetimore”, - theksoi Alibeaj.
Replikat mes Ina Ramës dhe Halimit në Komision
Ina Rama: Prokurori i Përgjithshëm raporton në Kuvend ose komisionet parlamentare të paktën një herë në gjashtë muaj ose sa herë që kërkohet prej tyre. Raportimi përmban të dhëna dhe shpjegime për numrin, llojet, shtrirjen territoriale, intensitetin dhe format e kriminalitetit në Republikën e Shqipërisë, si dhe drejtimet dhe përparësitë në luftën ndaj kriminalitetit. Nuk lejohet njoftimi për çështje konkrete, me përjashtim të çështjeve të dërguara me vendim të Kuvendit.
Eduard Halimi: Zonja prokurore, ju kemi thirrur për të na dhënë informacion mbi këto që ju kemi thirrur, jo informacion mbi jurispudencën në Shqipëri. Ju jeni juriste, të gjithë ne jemi juristë. Ju lutem, a mund të na përcillni informacion që ka të bëjë me veprimtarinë tuaj si drejtuese e një institucioni? Në radhë të parë, unë do t’i drejtohem pyetjeve të kolegëve, ju jeni juriste, të gjithë juristë jemi. Ju lutem, vazhdoni me dhënie informacioni Komisionit hetimor, siç parashikohet në nenin 14 pika 2 të ligjit “Për Komisionet Hetimore Parlamentare”.
Ina Rama: E kuptova shumë mirë zoti Halimi, mund të vazhdoj për t’i dhënë më shumë informacion Komisionit?
Ina Rama: ...Ndaj, më duhet të vërej se çdo çështje që Komisioni parlamentar është duke hetuar rreth këtyre ngjarjeve, është në mënyrë integrale e lidhur me hetimin penal të fakteve që po heton vetë Prokuroria.
Eduard Halimi: Zonja prokurore...
Ina Rama: Zoti kryetar, e përfundova.
Eduard Halimi: Jo, është çështje me interes edhe për ne, edhe për ju, edhe për publikun. Ju jeni duke thënë se edhe ju jeni duke e hetuar veprimtarinë e institucioneve shtetërore për parandalimin e ngjarjeve të datës 21 janar?
Ina Rama: Zoti Halimi, unë do të doja që ju të më dëgjonit deri në fund të fjalës sime.
Eduard Halimi: Ne kemi kohë boll për të të dëgjuar, absolutisht.
Ina Rama: Unë kërkoj vetëm kaq të them. Në këto kushte, për shkak të pasjes së çështjes nën hetim dhe kufizimit ligjor që parashikon ligji “për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë” për të njoftuar Kuvendin për çështje të veçanta, ju bëj me dije se nuk mund t’u përgjigjem pyetjeve tuaja në funksion të objektit të hetimit të këtij Komisioni. Më duhet të respektoj ligjin dhe jam e vendosur të veproj vetëm mbi bazën e ligjit. Ky është një qëndrim në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit. Ju faleminderit!
Eduard Halimi: Zonja prokurore, unë ju njoftoj ju, ashtu siç ju kam njoftuar edhe me shkrim, se objekti i hetimit të këtij Komisioni nuk ka të bëjë fare me çështjet që ju po hetoni, nuk ka të bëjë fare me çështjet penale që ju po hetoni dhe që na informove dhe sot ne. Objekti i hetimit të këtij Komisioni është hetimi i veprimtarisë së institucioneve, nuk besoj se ju keni filluar ndonjë çështje për veprimtarinë e institucioneve. Në pikën 3 të këtij vendimi, thuhet se, në rast se ju keni filluar një çështje penale për këtë çështje, pra “Për veprimtarinë e institucioneve shtetërore”. Atëherë, sigurisht që Komisioni parlamentar do ta shikojë këtë çështje. Pyetja ime është kjo, a ka ndonjë çështje që keni filluar dhe ka lidhje me hetimin parlamentar? Pra, për veprimtarinë paraprake të institucioneve që kupton zbulimin, parandalimin, pengimin, neutralizimin dhe ndëshkimit të organizimit kriminal, jo veprimeve kriminale të dhunshme, por të veprimtarisë së institucioneve shtetërore. Nëse ka një çështje të tillë, na e thoni dhe neve, me këtë thuajani dhe publikut dhe këtu gjithçka sqarohet. Kjo është pyetje, që unë e doja një përgjigje nga ju zonja Kryeprokurore.
Ina Rama: Atëherë, kjo është një pyetje për të sqaruar pozicionin tim rishtas dhe atë që unë sapo thashë, ne kemi filluar hetimet për të cilat ju kemi informuar në materialin me shkrim që kemi dërguar sot brenda afatit që ju na kishit caktuar. Sigurisht, që presim rekomandimet e këtij Komisioni për t’i parë ato me shumë seriozitet. Ajo që unë ju bëra prezent është që Prokurori i Përgjithshëm, në kushtet kur ka një çështje në hetim, nuk mund t’i nënshtrohet një seance pyetjesh, sepse ngjarjet që ne po hetojmë në kuadrin e një procedimi penal, janë të njëjtat ngjarje që ju po hetoni në kuadrin e një hetimi parlamentar. Ju faleminderit zoti kryetar, unë nuk jam e disponueshme për pyetjet. (Ina Rama çohet dhe ikën...)
Pyetjet e Komisionit për Ina Ramën
Eduard Halimi
Prokurorja e Përgjithshme tha në prani të një ambasadori të një vendi mik se policia nuk ka referuar asnjë material për veprimtari parandaluese. Unë për këtë doja ta pyesja.
Cila ishte e vërteta, cilat ishin motivet që Prokurorja gënjeu para ambasadorit të një vendi mik?
Do ta pyesja Kryeprokuroren edhe në lidhje me prishjen e një marrëveshjeje të iniciuar nga një ambasadë mike.
Fatos Hoxha:
Kisha përgatitur foto në monitor, mbi atë që kishte ndodhur më 21 janar dhe dy pyetjet e mia konsistonin shumë thjesht. Nëse kjo, si specialiste, me syrin e saj si Kryeprokurore, si do i vlerësonte këto pamje.
Do e pyesja në lidhje me prishjen e një marrëveshjeje, që foli Kryeministri. Marrëveshje jo me ne, por me një përfaqësues të një vendi mik. Pse u prish kjo marrëveshje, si është e vërteta dhe duke shtuar diçka më shumë, nëse ishte konsultuar me Presidentin e Republikës dhe çfarë i kishte sugjeruar ai?
A është konsultuar zonja Ina Rama me kreun e PS-së, Edi Rama, para marrëveshjes, apo pas saj?
Viktor Gumi
Cilat vepra penale ke regjistruar dhe ke filluar kryesisht?
A keni ndonjë pengesë? Çfarë ndihme kërkoni nga institucionet shtetërore për të bërë të mundur hetimin e këtyre çështjeve penale?
Si e keni mobilizuar trupën e prokurorëve, trupën e oficerëve të policisë gjyqësore për zbardhje të shpejta dhe profesionale, nën pavarësinë tuaj kushtetuese në këtë aspekt?