Ina Rama refuzon Komisionin: Nuk përgjigjem për çështje nën hetim
Kryeprokurorja Ina Rama, e shoqëruar nga dy bashkëpunëtorët e saj, ka qëndruar vetëm 20 minuta para Komisionit Hetimor, duke refuzuar t’u përgjigjej pyetjeve. “Po hetojmë çdo ngjarje kriminale të ndodhur më 21 janar, objekti i Komisionit, i lidhur në mënyrë integrale me hetimin penal”
Tiranë Përballja e shumëpritur e kryeprokurores Ina Rama me anëtarët e Komisionit Hetimor ka zgjatur vetëm disa minuta, duke u mbyllur me refuzimin e saj për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth 21 janarit. Për rreth 20 minuta, Prokurorja e Përgjithshme shpjegoi para anëtarëve të Komisionit të gjitha arsyet përse ajo nuk mund të jepte asnjë detaj mbi çështjen nën hetim dhe, pa pritur miratimin e askujt, vendosi të largohej, duke i detyruar anëtarët e Komisionit të lexonin pyetjet në mungesë të saj, thjesht për procedurë. Sikundër ishte parashikuar, kryeprokurorja Ina Rama, e shoqëruar nga dy drejtorët më të rëndësishëm të akuzës, Sokol Stojani e Arben Dollapaj, mbërriti në Kuvendin e Shqipërisë rreth orës 18:00, duke e nisur fjalën e saj me rolin e institucionit që drejton. Fjala e Ramës u ndërpre disa herë nga kreu i Komisionit Hetimor, deputeti Eduard Halimi, i cili kërkoi nga Kryeprokurorja të jepte informacione për punën e Prokurorisë së Përgjithshme për periudhën para, gjatë dhe pas demonstratës së 21 janarit. Përgjigjja e Kryeprokurores ishte vetëm kërkesa që ajo të lejohej të përfundonte fjalën së saj. E teksa anëtarët e Komisionit Hetimor prisnin t’i adresonin një sërë pyetjesh, Kryeprokurorja tha se “Për shkak se çështja është nën hetim dhe kufizimit ligjor që parashikon ligji ‘për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë’ për të njoftuar Kuvendin mbi çështje të veçanta, ju bëj me dije se nuk mund t’u përgjigjem pyetjeve tuaja, në funksion të objektit të hetimit të këtij Komisioni”. Gjatë fjalës së saj, Ina Rama sqaroi se Prokuroria Shqiptare është duke kryer hetimet e saj për ngjarjet e ndodhura në datën 21 Janar. “Çdo ngjarje kriminale, e cila ka ndodhur në datën 21 janar është objekt i hetimit penal të Prokurorisë dhe vetëm në përfundim të hetimit të kësaj çështjeje, Prokuroria Shqiptare do të ketë një konkluzion përfundimtar, mbështetur në rezultatet e një hetimi të plotë. Ndaj, më duhet të vërej se çdo çështje që Komisioni parlamentar është duke hetuar rreth këtyre ngjarjeve, është në mënyrë integrale e lidhur me hetimin penal të fakteve që po heton vetë Prokuroria” - tha Kryeprokurorja, e cila mes replikave të deputetëve vendosi të largohet, për të mos iu përgjigjur pyetjeve të tyre. Duke argumentuar përse nuk mund të ishte në dispozicion të Komisionit Hetimor, Kryeprokurorja referoi para deputetëve se prania e saj përpara këtij Komisioni bëhet në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve, të cilave u nënshtrohet institucioni që ajo drejton. Gjatë fjalës së saj, Kryeprokurorja solli në vëmendje të anëtarëve të Komisionit edhe vendimin nr. 26, datë 4.12.2006 të Gjykatës Kushtetuese, i cili thotë se funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm ushtrohen prej tij si drejtues profesional e jo politik i Prokurorisë, karakteristika të cilat i sigurojnë pavarësinë profesionale organit të Prokurorisë. “Në të njëjtin vendim, Gjykata Kushtetuese arsyeton se Kuvendi apo komisionet hetimore të tij nuk kanë tagrin e rishikimit të vendimit të marrë nga Prokuroria dhe nuk mund ta shtrëngojnë këtë të ndryshojë vendimet e saj. Në këtë kuadër, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se mjetet e kontrollit parlamentar mbi Prokurorinë nuk mund të përdoren asnjëherë si instrument për të shqyrtuar dhe vlerësuar vendimet e marra nga ana e prokurorëve për çështje konkrete. Parlamenti mund të ndikojë në institucionin e Prokurorisë vetëm nëpërmjet tagrave të tij ligjvënëse” - tha Kryeprokurorja. Sipas saj, një tjetër arsye përse nuk mund të ishte në dispozicion të Komisionit Hetimor, është ligji për Prokurorinë dhe ligji për Komisionet Hetimore. Duke cituar pjesë nga këto dy ligje, Kryeprokurorja la të kuptohet para deputetëve pozicionin e saj, duke thënë se “në nenin 4, ‘Parime të përgjithshme’ të ligjit ‘Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit’, pika 5, parashikohet shprehimisht se “Komisionet hetimore të Kuvendit paraqesin rekomandime në seancë plenare dhe, kur këto miratohen, i dërgohen Prokurorit të Përgjithshëm për marrjen e masave të mëtejshme’”. Duke i garantuar anëtarët e Komisionit Hetimor se institucioni që ajo drejton do të shqyrtojë me seriozitet përfundimet e tyre mbi ngjarjet e 21 janarit, Ina Rama braktisi sallën e Kuvendit me një pohim të fundit: “Jam e vendosur të veproj vetëm mbi bazë të ligjit”.