Gjykata e Lartë “mbron” tre gjyqtarët e Delijorgjit
TIRANE - Gjykata e Lartë "merr" në mbrojtje gjyqtarët e Delijorgjit. Tre togat e zeza, të Apelit Ushtarak që gjykuan të deleguar në Durrës çështjen e Delijorgjit në fund të vitit të kaluar, nuk do të procedohen nga KLD-ja mbledhjen e ardhshme. Shkak për këtë është bërë Gjykata e Lartë, e cila nuk ka marrë në shqyrtim ende çështjen e pafajësisë së Mihal Delijorgjit, firmosur nga tre gjyqtarët Shaqir Gradica, Naum Pejo dhe Ylli Minka. Kjo me argumentin se nëse Gjykata e Lartë lë në fuqi vendimin e Apelit Durrës, atëherë tre togat e zeza përjashtohen nga përgjegjësia për pafajësinë e Delijorgjit. Të tre këta gjykatës, firmosën pafajësi për Delijorgjin, në cilësinë e presidentit të shoqërisë "Përparimi" sh.a., i cili ishte dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Durrësit me 120 milionë lekë të vjetra gjobë, pasi ishte gjetur fajtor për "shmangie të detyrimeve doganore", që kishte të bënte me importin. Pas kësaj, të dy palët, prokuroria dhe mbrojtja e kanë dërguar çështjen në Gjykatën e Apelit, në të cilën dosja qëndroi me tepër se një vit e gjysmë pa u shqyrtuar. Kjo për faktin se togat e zeza të këtij institucioni ishte konsumuar në këtë çështje, pasi më parë kishin gjykuar disa kërkesa civile dhe penale të Delijorgjit, përfshi këtu edhe shqyrtimin e masës së sigurisë për pak javë pas arrestimit të majit 2004. Duke u nisur nga ky fakt, KLD-ja u detyrua të delegonte në Durrës tre toga të zeza nga Apeli Ushtarak: Shaqir Gradica, Naum Pejo dhe Ylli Minka, të cilët vendosën t'ia hiqnin akuzat Delijorgjit dhe ta shpallnin të pafajshëm. Vendimi i pafajësisë së Delijorgjit është firmosur mëngjesin e 27 dhjetorit të vitit të kaluar, vetëm pak minuta pasi ai me dëshmi penaliteti të pastër është paraqitur në Ministrinë e Mbrojtjes ku ka nënshkruar kontratën fitimprurëse për demontimin e një sasie të konsiderueshme predhash dhe municionesh. Inspektorët e KLD-së pas kontrollit të ushtruar në Gjykatën e Apelit në Durrës, pohuan se çështja "Delijorgji" përmbante mjaft shkelje të ligjit nga ana e togave të zeza, dhe i kërkuan ministrit të Drejtësisë të niste procedimin disiplinor në ngarkim të Gradicës, Minkës dhe Pejos. fa.ma