E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilema Obama-McCain dhe efektet në Shqipëri

Rudina Seseri 

Zgjedhjet presidenciale amerikane mbizotërojnë lajmet ditore në SHBA. Kjo është e natyrshme. Çfarë të çudit është fakti se sa afër po ndiqen këto zgjedhje në nivelin mbarëbotëror, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Në fakt, për të ndjekur debatin e parë presidencial, shumë shqiptarë ndenjën zgjuar deri në orët e hershme të mëngjesit. Pse ndodh kjo? Zgjedhjet amerikane të 2008-ës janë pozicionuar nga mediat si ndër më të rëndësishmet e historisë së Amerikës. Euforizmat mediatike mënjanë, këto zgjedhje janë domethënëse në shumë nivele. Në nivelin human, për herë të parë në historinë e kombit amerikan një zezak, Barak Obama, arrin të sigurojë kandidaturën e majtë për President të Shteteve të Bashkuara. Kjo arritje është monumentale kur merret parasysh që vetëm 40 vite më parë udhëheqësi i lëvizjes për të drejtat civile, Martin Luther King Jr., foli për ëndrrën e tij mbi barazinë raciale, ku individë të ngjyrave dhe prejardhjeve të ndryshme mund të kishin të drejta dhe mundësi të barabarta. Nominimi i John McCain nuk është më pak i rëndësishëm – një veteran lufte, që shumë shpesh është ndarë nga uniformiteti politik konservativ në ndjekje të koshiencës së tij, arrin të sigurojë kandidaturën për Partinë Republikane. Këto kandidatura janë akoma më domethënëse kur merret në konsideratë sa të ndryshëm janë kandidatet. McCain i përket brezit të tretë të një familjeje ushtarake dhe është individ që arriti t’i mbijetojë torturave si i burgosur lufte në Vietnam; Obama u rrit nga e gjyshja në një familje të varfër dhe mbas shumë përpjekjesh arriti të arsimohej në Harvard University. McCain është 71 vjeç, Obama 46; McCain nuk arrin të mbajë mend numrin e shtëpive të tij (në fakt ka 7 shtëpi në pronë në emër të bashkëshortes), Obama ka vetëm një shtëpi në Chicago, të cilën e bleu poshtë vlerës së tregut; McCain ka zgjedhur një grua si kandidate për zëvendëspresidente për të tërhequr drejt vetes votueset që mbështesnin Hilary Clinton, Obama ka zgjedhur senatorin me përvojë, Joe Biden, për të eliminuar dyshimet mbi eksperiencën e tij (Obama ka vetëm 2 vite eksperiencë si senator). Lista e kontrastit mes tyre është e gjatë....
Duke u rrëmbyer në analizën mbi dy kandidatët, rrezikoj të mos vë në dukje që zgjedhjet dhe politika e brendshme amerikane në 2008-ën ka qenë një arritje e madhe për gratë në SHBA. Për herë të parë në historinë e Shteteve të Bashkuara, në krye të Kongresit Amerikan është një grua, Nancy Pelosi. Për herë të parë, senatorja Hilary Clinton arriti të mbartë një ndër betejat më serioze për kandidaturën presidenciale duke marrë 17 milionë vota, ndërkohë që skuadra presidenciale republikane u plotësua me Sara Palin në rolin e kandidates për zëvendëspresidente. Këto arritje përbëjnë një analogji interesante kur konsideroj debatet e ligjbërësve shqiptarë për rolin e grave në politikë dhe në Parlament.
Efekti ndërkombëtar
Zgjedhja që do të bëjë populli amerikan në nëntor, do të ketë efekte të rëndësishme për politiken dhe ekonominë ndërkombëtare, sigurisht përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Në rast se zgjidhet McCain, Amerika do të vazhdojë luftën në Irak dhe Afganistan, me një probabilitet jo të vogël për të hyrë në luftë me Iranin. Obama ka qenë dhe vazhdon të jetë kundër ndërhyrjes amerikane në këto vende dhe për tërheqjen e trupave. Në varësi të rezultateve elektorale, stabiliteti ndërkombëtar mund të marrë drejtime krejt të kundërta.
Ndoshta më me shumë rëndësi për botën është roli që do të luajë presidenti amerikan në fushën e financës dhe ekonomisë. Kur konsiderojmë efektin e globalizimit dhe ndërvarësitë mes vendeve në botë, është e pamundur që kriza ekonomiko-financiare e Amerikës të perceptohet si eveniment i izoluar. Mjafton të mendosh për dështimin e bankave investitore si Merrill Lynch (tashmë e blerë nga Bank of America) dhe Lehman Brothers (me falimentim të plotë), të kujtohesh që dështimi i bankave amerikane rezultoi në krizën e tregjeve të bursave në rang botëror, ndërkohë që likuiditeti për hua individuale dhe kredi korporatash është pothuajse mosekzistues. Në fakt, kriza financiare amerikane konsiderohet si kriza më e madhe që në kohën e të ashtuquajturit depresioni i madh në vitet 1920. Për Shqipërinë, kjo krizë financiare ka ndikime direkte në sistemin bankar, pasi bankat shqiptare i bazojnë interesat e kredive dhe kursimeve mbi EURIBOR, interesi ndërbankar evropian, i cili është në vetvete i influencuar nga kriza e lartpërmendur.
Pozicioni i kandidateve mbi këtë krizë është paksa i turbullt. Të dy flasin për kontroll më të madh legjislative mbi sistemin financiar – ja vlen të përmendet që nga ana e McCain kjo është shkëputje nga tradita e Partisë Republikane, e cila historikisht ka besuar në mosndërhyrjen e qeverisë në tregjet e lira. Të dy kandidatët bien dakord që duhet një lloj pakete për të shpëtuar tregun financiar, por asnjëri nuk e ka pranuar totalisht propozimin e Bushit për një paketë shpëtuese në vlerën 700 miliardë dollarë për blerjen e të gjithë kredive dhe bankave të dështuara me të ardhurat e taksapaguesve amerikanë.
Ekonomia amerikane nuk po vuan thjesht nga kriza financiare, por edhe nga një recesion ekonomik - niveli i papunësisë ka arritur në 6.1%. Ndërkohë, që masat janë shpeshherë të përballura me çmime të larta të produkteve, duke i bërë ekonomistët të peshojnë pyetjen nëse Amerika është në një situatë stagflacioni (papunësi dhe çmime të larta). Të dy kandidatët duan të luajnë me elementin e taksave për të stimuluar ekonominë, McCain duke ulur taksat në mënyrë absolute, Obama duke marrë në konsiderate çështje të ridistribucionit – të pasurit paguajnë më shumë taksa, të varfrit më pak.
Debati i naftës është ndoshta me interesant për Shqipërinë sepse si të gjithë vendet, edhe Shqipëria është përballur me rritjen në çmimeve të energjisë. Barak Obama mbështet rritjen e alternativave për burime të ndryshme energjie, John McCain (dhe më shumë së vet McCain, Sara Palin) mbështet idenë për shkatërrimin e territoreve natyrale në Alaska, momentalisht të mbrojtura me ligj, në favor të nxjerrjes së naftës ose siç e quan Sara Palin, për të fituar “pavarësinë” nga vendet e OPEC-ut. Eshtë interesante për të vënë në dukje këtu se kontradikta në pikëpamje ekzistojnë jo vetëm mes kandidateve McCain-Obama, por edhe brenda për brenda dysheve partiake. Rasti më i qartë për të ilustruar këtë pikë është fakti se McCain dhe Obama bien dakord për krizën ekologjike botërore, ndërkohë që Sara Palin nuk beson në ngrohjen globale. Kjo pikëpamje është aq flagrante sa kandidatja për zëvendëspresidente, Sara Palin, u bë subjekt i skeçeve parodike amerikane të tipit alla “Portokalli”, nën frazën se nuk ka ngrohje globale, por është thjesht “perëndia që na përqafon më fort.”
Çështjet shqiptare
Në mbyllje, ja vlen të ndalojmë për një moment në politikat direkte, që kandidatët për president kanë mbi çështjet shqiptare. Lajmi është pozitiv: të dy kandidatët e konsiderojnë Shqipërinë një vend mik dhe mbështesin integrimin e saj në institucionet Euro-Atlantike. Madje, të dy kandidatet bashkohen në politikën e tanishme të Shteteve të Bashkuara si sponsor i Shqipërisë për anëtarësim në NATO. Të dy kandidatët mbështesin edhe pavarësinë e Kosovës. Spekulimet mbi pikëpamjet e Obamës për Kosovën dhe raportin e tij me serbët u rrëzuan me letrën publike që kandidati demokrat i bëri Këshillit Kombëtar Shqiptar Amerikan, ku deklaroi se mbështet “pavarësinë e Kosovës dhe dëshirën e saj për sovranitet të plotë”. Atëherë ku qëndron diferenca mes kandidatëve përsa i përket shqiptarëve? Në aspektin mbarëkombëtar, nuk ekziston ndonjë ndryshim mes tyre. Diferenca më e madhe (dhe jo shumë domethënëse në vetvete) është fakti se njëri prej individëve më të besuar të McCain dhe bashkëkryetari i komisionit për zgjedhjen e McCainit, Guvernatori Tom Ridge, ka shërbyer si këshilltar i qeverisë shqiptare. Në rast se fiton McCain, ai do të ketë pranë (ndoshta në kabinetin e tij) një individ që është mjaft familjar me Shqipërinë. Një individ që ka jo vetëm influencë, por edhe pikëpamje të forta mbi politikat partiake shqiptare. Ky fakt ngre pyetjen nëse do të ketë qëndrime partizane nga ana e qeverisë amerikane në momente kyçe si zgjedhjet e përgjithshme shqiptare në 2009-ën? Probabiliteti është i vogël sepse interesat për stabilitetin rajonal janë shumë më të mëdha, megjithatë këto elemente partiake duhet të peshohen.
Në nëntor votuesit amerikanë do të zgjedhin presidentin e tyre të ardhshëm. A do të jetë Amerika në gjendje të provojë që racizmi nuk ekziston? Sa do ta vlerësojë elektorati eksperiencën ushtarake të njërit kandidat në një periudhë lufte? A do të dalë një kandidat si shpëtimtari i qartë i ekonomisë amerikane? Për përgjigjet definitive të këtyre pyetjeve, duhet të presim zgjedhjet e 4 nëntorit – deri atëherë, debatet do të vazhdojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›