Meta: Rama po bën afera me Berishën, jo opozitë
Aristir Lumezi
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë përcaktuese për fatet e shqiptarëve për të ardhmen. Kështu deklaroi kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë takimit të zhvilluar me qindra të rinj të LRI-së të njësisë bashkiake numër 5. Në këtë takim lideri i kësaj partie deklaroi se: "LSI dhe LRI janë alternativa kryesore që i mbetet qytetarëve shqiptarë, por në mënyrë të veçantë rinisë shqiptare, për të refuzuar njëherë e mirë një kastë të re politike dhe ekonomike, që synojnë të krijojnë Rama dhe Berisha me marrëveshjet dhe me aferat e tyre". Kjo kastë, sipas tij, është në kurriz të shumicës dërrmuese të qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, që nga prishja e Kushtetutës e deri edhe te prishja e atyre pak mushkërive të gjelbërta që i kanë mbetur kryeqytetit, që dalëngadalë po shkon 1 milion banorë dhe që ka të bëjë edhe me atë pjesë të kryeqytetit, ku ju banoni dhe votoni. Takimi i radhës për drejtuesit e LSI-së ka qenë në Kashar, aty ku në votimet për kreun e komunës, kjo forcë politike u rendit e dyta. Meta tha se LSI-ja është një forcë politike opozitare, që Sali Berisha nuk ka ku ta kapë, nuk ka si ta trembë, por është një forcë politike që shpreh lirshëm dhe me guxim aspiratat që kanë qytetarët dhe populli shqiptar. "Në nuk kemi asnjë ngurrim në luftën tonë opozitare, nuk kemi asnjë shqetësim se i mbetet qejfi Berishës për kërkesat tona, dhe qëndrimet tona parimore, por përkundrazi ne besojmë se gjithnjë dhe më shumë se dhe vetë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Socialiste do të ndërgjegjësohen, që lidershipi i tyre nuk ka zgjedhur të bëjë opozitë, por ka zgjedhur të bëjë afera korruptive me Kryeministrin Berisha", deklaroi Meta. Kreu i LSI-së shprehu bindjen se "fitorja e LSI-së në zgjedhje është e sigurtë, duke e renditur në forcat kryesore".