Rama: Berisha shtoi borxhlinjtë edhe në arsim
Rruga e ideve për të ardhmen, për çështjen e arsimimit është diskutuar këtë herë në qytetin e Korçës. Arsimtarë dhe pedagogë të këtij qyteti pohuan pamundësinë dhe braktisjen e shkollave nga një kategori nxënësish të cilëve iu duhet të punojnë për të ndihmuar ekonomikisht familjet e tyre. Kryetari socialist Rama u shpreh se nga të dhënat e regjistruara në mbarë vendin në "Dialogun me Shqipërinë", 70 % e atyre që jetojnë në fshat e kanë thuajse të pamundur të përballojnë blerjen e teksteve shkollore. Kryetari i PS-se kritikoi politikat e qeverisë për arsimin. Rama tha se tashmë listat e borxhlinjve nuk janë vetëm në dyqanet e ushqimeve, por edhe në librari. "Berisha kur doli dhe kërkoi votën në 2005 shfaqej në zyrat e dyqaneve dhe u tregonte njerëzve listat e ushqimeve. Këto lista jo vetëm janë zgjatur, por ato kanë shkuar edhe në librari", u shpreh Rama. "Të mos e marrim votën duke bërë premtime të pambajtshme, por duhet ta meritojmë atë duke bërë premtimet tona reale", shtoi kreu i PS-së. Sipas tij, paketa e teksteve në qytet, përbën 1/5 e buxhetit të një familjeje me të ardhura mesatare. "Jemi në një moment dramatik për arsimimin dhe edukimin në Shqipëri. Në këtë moment, na duhet t'i identifikojmë së bashku zgjidhjet, në mënyrë që nesër ne të mos e marrim votën e shqiptarëve duke bërë premtime të pambajtshme, por ta meritojmë votën e shqiptarëve, duke ofruar zgjidhjet konkrete, realiste, që do të jenë edhe përgjegjësia jonë qeverisëse", tha Rama.