Balla: Qeveria dështoi në lehtësimin e vizave
Kryetari i Komisionit të Integrimit të Asamblesë Kombëtare të PS-së, deputeti Taulant Balla kritikoi qeverinë për mos përmbushje të standardeve, që do të sillnin një liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian. "Tre ditë më parë, shqiptarët u njohën me deklaratën e zëvendës Presidentit të KE-se Jacques Barrot, i cili u shpreh se dita e liberalizimit të plotë të vizave me Shqipërinë është ende shumë larg dhe se vendimi për liberalizimin nuk do të merret as në vitin 2009. Do të kishte qenë marrje përgjegjësie, por edhe detyrim institucional dhe moral i Ministrisë tonë të Jashtme, që pas kësaj deklarate të zëvendës Presidentit të KE, të ishin shprehur publikisht dhe të pranonin kritikën se Shqipëria ende nuk ka bërë hapa të dukshëm dhe të qëndrueshëm në drejtim të përmbushjes së detyrimeve të përcaktuara në Udhërrëfyesin për liberalizimin e regjimit të vizave, ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të BE-së", deklaroi Balla. Deputeti socialist deklaroi se "udhërrëfyesi i është dorëzuar ministrit të Punëve të Jashtme Lulzim Basha, më datë 3 qershor 2008, nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm në KE për Zgjerimin, Michael Leigh. Por kanë kaluar gati katër muaj që nga dorëzimi i këtij udhërrëfyesi dhe ende ky dokument është peng i sirtarëve të zyrës së mbyllur të Ministrit Basha, kur ndërkohë në bazë të udhërrëfyesit duhet të ishte hartuar një plan kombëtar veprimi për përmbushjen e standardeve dhe mekanizmi për raportimin e progresit ne përmbushjen e detyrimeve", theksoi Balla. Ai theksoi se "shqiptarët do të vazhdojnë të vuajnë murin e vizave, sepse kjo qeveri nuk as vullnetin dhe as kapacitetet për të shënuar rezultate të dukshme në luftën kundër kriminalitetit, trafiqeve ilegale, emigracionit të paligjshëm".