Berisha: Reformë brenda Drejtësisë
Aristir Lumezi
Institucionet e pavarura nuk duhet të përfitojnë nga statusi që kanë, për të mbrojtur korrupsionin. Kryeministri Sali Berisha, i ka bërë dje thirrje sistemit të drejtësisë të nisë një proces pastrimi brenda tij, sikur sipas kreut të qeverisë e ka nisur për raste që kanë ndodhur jashtë sistemit. Duke folur në një konferencë për shtyp lidhur me raportin e fundit të Transparency International, kreu i qeverisë është shprehur se asnjë prokuror apo gjyqtar nuk është ulur në bankën e të akuzuarve, megjithëse ka pasur mjaft raste të implikimit të tyre në lirimin e vrasësve apo falsifikimin e dokumenteve. "Ata që mendojnë se mund të përdorin pavarësinë për të mbrojtur korrupsionin do zhgënjehen rëndë. Nga 1996 deri në 2008 s'e ka ulur prapanicën asnjë gjykatës a prokuror në bankën e të akuzuarit, edhe kur janë filmuar duke marrë para, edhe kur vrasësin e kanë nxjerrë të pafajshëm, edhe kur kanë liruar trafikantë droge, kur kanë falsifikuar dosjet. Kjo është e papranueshme. Ne jemi të gatshëm të japim ndihmesën më të madhe, por ne nuk pajtohemi me këtë situatë. Ka një qëndrim të ri të sistemit të drejtësisë ndaj korrupsionit dhe e përgëzoj për këtë, por ndaj korrupsionit jashtë tyre", u shpreh kreu i qeverisë. Sipas Berishës, reforma në sistemin e drejtësisë kërkon një pakt të gjerë politik, për të cilin ai u shpreh optimist. "Do të jetë mirë ta shtrijnë edhe brenda tyre, të mos kenë frikë. Këto kërkojnë një ujdi të gjerë politike. Shoh me optimizëm se kjo ujdi do të vijë, do të realizohet. Kemi dalë në gjysmë me dritë të hënës", theksoi më tej Berisha. Duke u ndalur në raportin e Transparency International për luftën kundër korrupsionit, kreu i qeverisë tha se gjatë vitit të fundit Shqipëria doli nga gjysma e errët e vendeve me korrupsion. "Korrupsioni në Shqipëri ekziston dhe mbetet problem serioz, por Shqipëria e vitit 2008 nuk është më Shqipëria e gjysmës së errët të hënës, por është një Shqipëri e gjysmës me dritë të saj, pra transparente nga lufta me sukses me korrupsionin", theksoi kreu i qeverisë. Sipas Berishës, gjatë këtyre tre viteve u fitua një betejë e rëndësishme e luftës kundër korrupsionit. "Ne sot jemi në krye të vendeve të Ballkanit dhe jemi ndër 10 më të mirët në botë për këtë luftë, por prapë 20 vendet më të pastra të botës janë më së paku edhe 3.7 pikë para nesh, pra kemi së paku edhe 3-4 km të forta jo të lehta për të kaluar. Por, në rast se ne ruajmë dhe forcojmë këto ritme të luftës sonë, ne do t'i arrijmë ato më shpejt nga sa mund të mendojmë", theksoi më tej Berisha. Sipas tij "në luftën kundër korrupsionit lypset ndihma, mbështetja e çdonjërit prej jush. Kjo luftë kërkon që ne, politikanët dhe zyrtarët e tjerë, të barazohemi me ju para ligjit. Të dashur qytetarë, kërkoni pra të shembim murin e imunitetit, murin e territ dhe të dalim në dritë. Shenja pozitive ka dhe unë jam optimist në një ujdi të mundshme për të shembur këtë mur". Në fund kreu i qeverisë, teksa kërkoi edhe mbështetjen e publikut, theksoi se "lufta kundër korrupsionit, padyshim që duhet të udhëhiqet nga qeveria, por një rëndësi shumë të madhe ka lufta kundër këtij kanceri në të gjitha institucionet e vendit. Askush nuk duhet dhe nuk do mund të përdorë pavarësinë për mburojë për korrupsionin".
Vlerësimet e qeverisë
• Nxjerrjen e administratës jashtë konfliktit të interesit
• Liberalizimin e mëtejshëm të ekonomisë
• Heqje dorë nga imuniteti nga zyrtarët e PD, për korrupsionin dhe krimin ekonomik
• U kursyen në tre vjet 120 milionë lekë,
• Nga shpenzimet operative u kursyen në këtë mënyrë mbi 300 milionë USD në tre vjet
• U ndaluan prokurimet direkte, u kursyer në 3 vjet të mbi 360 milionë USD
• U krijua regjistri elektronik i biznesit dhe u vendos tarifa 1 euro për regjistrimin e biznesit
• U miratua ligji i nxjerrjes jashtë konfliktit të interesit të KLD
• U hoqën më shumë se 2/3 e lejeve dhe licencave, dhe për rrjedhojë korrupsioni i lidhur me to
• Nga 187 leje dhe licenca që ishin në 2005, sot kanë mbetur vetëm 64, të tjerat janë shndërruar në vetëdeklarime.