E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci", masë për vrasje masive

 

Fatos Mahmutaj

Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar Gjykatës së Lartë për vendosjen e masës së sigurisë "burg pa afat", për tre të arrestuarit e "Gërdecit", Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli nën akuzën "vrasje në rrethana cilësuese të disa personave", vepër penale kjo e kryer në bashkëpunim nga të akuzuarit. Ish-kreu i MEICO, Pinari; presidenti i "Alba-demil", Delijorgji dhe drejtori ekzekutiv i kësaj firme Minxolli, ndodhen në qeli që nga 18 marsi i këtij viti, të akuzuar për "shkelje të rregullave me lëndët plasëse, në bashkëpunim", çka shkaktoi tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë. Shkak që kërkesa për masë sigurie është dërguar në Gjykatën e Lartë është fakti, se dosja "Gërdeci" po hetohet nga një grup special hetimi pranë Prokurorisë së Përgjithshme, pasi dyshohet se në veprën penale është përfshirë edhe ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. Tre ditë pas shpërthimit të një sasie të konsiderueshme predhash dhe baruti në mjediset e ish-repartit ushtarak, të përshtatur në fabrikë demontimi, prokuroria lëshoi urdhra-arrestet për tre të paraburgosurit, ndërsa më pas kur rrethi i të dyshuarve u zgjerua dhe me persona me imunitet, çështja iu dërgua për kompetencë Prokurorisë së Përgjithshme dhe për pasojë veprimet gjyqësore kryhen në Gjykatën e Lartë. Tashmë togat e zeza të Shkallës së Tretë, do të shqyrtojnë kërkesën e prokurorisë për vendosjen e masës së sigurisë për akuzën e dytë në ngarkim të të akuzuarve të Gërdecit. Ndërsa bëhet e ditur se kjo gjykatë pritet të shqyrtojë edhe ankimin e të pandehurve për masën e sigurisë "burg pa afat", që ka vendosur më parë Gjykata e Tiranës dhe më pas Apeli për Delijorgjin, Minxollin dhe Pinarin. Vetë të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj të dy akuzave, ndërsa kanë ankimuar masën e sigurisë në të gjitha shkallët dhe tashmë pritet që kolegjet penale të Gjykatës së Lartë të vendosë, për rekursin e tyre, krahas kërkesës së re të prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›