Pranga policit e dy studentëve me 4 kg hashash
TIRANE - Një punonjës policie, kursant i Patrullës së Përgjithshme dhe dy studentë u arrestuan nga Antidroga e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Kursanti”. Aksioni që ka nisur mesnatën e së martës ka vënë në pranga 21-vjeçarët nga Fieri, Julian Plaka dhe Ardit Hoxha, i pari student i Gjuhëve të Huaja në Vlorë dhe tjetri i Infermierisë në Tiranë, si dhe punonjësin e policisë Shkëlzen Kërçuku, 23 vjeç, nga Luzi i Kavajës. Ata janë kapur në dy zona të kryeqytetit me një sasi prej rreth 4 kilogramë hashash. Burime nga policia thanë se në afërsi të kryqëzimit të Farmacisë nr. 10 në Tiranë, Ardit Hoxha dhe Julian Plaka janë ndaluar nga policia, ku pas një kontrolli të ushtruar në një çantë që kishin me vete iu gjet një sasi bime e dyshuar narkotike, e cila ishte e paketuar dhe me peshë 3 kilogramë e 444 gramë. Po ashtu gjatë kontrollit të ushtruar në dhomën ku banonte pranë godinave të Fakultetit të Mjekësisë Tiranë, studentit Shkëlzen Kërçuku iu gjet edhe sasia prej 478.6 gramë lëndë e dyshuar kanabis sativa. Gjithashtu atij iu sekuestrua edhe një pistoletë, një thikë dhe një palë pranga.