Fatmira Hajdari në gjykimin e dosjes “Gërdeci”
TIRANE – Plotësohet me gjyqtarë trupa gjykuese që do të shqyrtojë dosjen “Gërdeci” në dhomën civile të Gjykatës së Tiranës. Shorti elektronik i kësaj gjykate përzgjodhi dje emrin e gjyqtares Fatmira Hajdari, si një nga anëtarët e treshes së kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado. Pas shortit të djeshëm duket se janë krijuar të gjitha kushtet që të caktohet një datë për seancën e parë gjyqësore dhe të fillojë shqyrtimi i dosjes në këtë gjykatë. Shorti i djeshëm ishte i treti në radhë për përcaktimin e trupës gjykuese të dosjes “Gërdeci” në gjykatën e Tiranës, pasi dy “raundet” e para nuk arritën të “finalizoheshin” me trupën përfundimtare. Procedura e parë e shortit për caktimin e treshes gjykuese të “Gërdecit” u zhvillua në 12 qershor. Ky short caktoi gjyqtarin Kreshnik Omari si kryesues dhe gjyqtarët Sokol Tona dhe Martin Deda anëtarë. Vetëm pak ditë më pas gjyqtari Omari kërkoi dorëheqje nga kryesimi i kësaj çështjeje, për shkak të një konflikti interesi, kërkesë që u pranua nga gjykata. Ndërsa shorti i dytë kishte pjesë përbërëse në treshe edhe gjyqtarin Fehmi Petku, në një kohë që pak ditë para shortit ai ishte transferuar nga KLD-ja në një tjetër gjykatë. Për vendin e tij në treshe u zhvillua një short i tretë, ai i djeshmi, që caktoi gjyqtaren Fatmira Hajdari. ar.ba