E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë "rihap" Durrës-Kukësin

 

Armand Bajrami

Prokuroria e Për-gjithshme arriti dje në Gjykatën e Lartë fitoren e parë në betejën ligjore-juridike të hapur për dosjen "Durrës-Kukës". Kolegji Penal i dha "shans" organit të akuzës të kërkojë rishikim për vendimin e 10 prillit 2009, që "zhveshi" nga akuzat ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha. Njëzet ditë më parë, dosja penale ndaj tij u shpall absolutisht e pavlefshme, ndërsa me vendimin e djeshëm, Prokurorisë i lind e drejta të kërkojë rishikimin e qëndrimit të mëparshëm të togave të zeza. Gjykata e Lartë shpalli dje rrëzimin e vendimeve të dhëna nga Gjykata e Shkallës së Parë (Fatmira Hajdari) dhe Gjykata e Apelit, të cilat patën shpallur të pavlefshme aktin e thirrjes së ministrit Basha si i pandehur në prokurori. Shkalla e Parë dhe Apelit patën zhvlerësuar edhe njoftimin e akuzës "shpërdorim detyre" ndaj ministrit Basha. Në lidhje me këto dy vendime të gjykatave më të ulëta, togat e zeza të Gjykatës së Lartë i dhanë të drejtë Prokurorisë, duke theksuar se "Gjykata e Rrethit dhe Gjykata e Apelit nuk ishin kompetente për shqyrtimin e kërkesës së bërë nga ministri Basha për shpalljen e pavlefshme të thirrjes dhe akt-akuzës ndaj tij. Sipas Gjykatës së Lartë, vendimet e dhëna nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli, janë në interpretim dhe në zbatim të gabuar të ligjit si dhe në shkelje të rëndë të Kushtetutës. Procedurialisht vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë i krijon mundësinë Prokurorisë së Përgjithshme, në bazë të ligjeve në fuqi, të kërkojë rishikim të vendimit të Gjykatës së Lartë dhënë në 10 prill 2009 (pavlefshmëri absolute për dosjen e çuar në gjykim). Vendimi i 10 prillit, që pushoi çështjen gjyqësore në ngarkim të ministrit Basha në Gjykatën e Lartë, u mbështet në dy vendimet që dje u cilësuan "absolutisht të pavlefshme" nga e njëjta gjykatë, veçse me trupë tjetër gjykuese.
VENDIMI
Për rreth 25 minuta, relatori i çështjes, gjyqtari Ilir Çeliku, lexoi vendimin e arsyetuar të Kolegjit Penal që shpalli pavlefshmërinë e dy vendimeve të gjykatave më të ulëta për aktet e dosjes "Durrës-Kukës". "Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi prishjen e vendimit nr. 1623, datë 15 dhjetor 2008 të Gjykatës së Rrethit Tiranë dhe vendimin nr. 21, datë 2 shkurt 2009 të Gjykatës së Apelit Tiranë si vendime absolutisht të pavlefshme dhe pushimin e gjykimit të çështjes në Gjykatën e Lartë", relatoi dje gjyqtari Çeliku. Bëhet fjalë për vendimin e gjyqtares Fatmira Hajdari, e cila shpalli të pavlefshme në dhjetor 2008 aktet e thirrjes së ministrit Basha në prokurori si i pandehur dhe njoftimin e akuzës me postë në adresë të tij. I pavlefshëm u cilësua nga togat e zeza të Gjykatës së Lartë edhe vendimi i shkurtit 2009 në Apel, i cili la në fuqi vendimin e gjyqtares Fatmira Hajdari. Në Shkallën e Parë dhe të Dytë pavlefshmëria e këtyre akteve procedurale u argumentua me faktin se ato ishin kryer nga Prokuroria jashtë afateve ligjore hetimore të ndërprera më 6 nëntor 2008. "Duke konstatuar pavlefshmëri absolute të dy vendimeve gjyqësore, pasi ato nuk ishin kompetencë lëndore për të gjykuar një kërkesë të tillë, çështja duhej t'i dërgohej gjykatës kompetente, e cila, në rastin e çështjes objekt gjykimi ka vendosur të pushojë çështjen në themel në drejtim të kërkuesit dhe personave të tjerë", thuhet në arsyetimin e vendimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë. Në mbështetje të nenit 450 të Kodit të Procedurës Penale, Prokurorisë së Përgjithshme i krijohet hapësira e mundshme ligjore për të rishikuar vendimin e 10 prillit të Gjykatës së Lartë, që pushoi çështjen në ngarkim të ministrit Basha. Sipas pikës 1 të këtij neni, rishikimi i vendimit të formës së prerë mund të kërkohet nëse "faktet e vënë në themel të vendimit nuk pajtohen me ato të një vendimi tjetër të formës së prerë".

Nenet për kompentencën dhe rishikimin

Neni 450, K.Pr.Penale
Rastet e rishikimit (të vendimit)

    1. Rishikimi mund të kërkohet:
    a) kur faktet e vëna në themel të vendimit nuk pajtohen me ato të një vendimi tjetër të formës së prerë;
    b) kur vendimi është bazuar në një vendim të gjykatës civile, i cili është revokuar më pas;

Neni 141 i Kushtetutës
1. Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar dhe rishikues. Ajo ka juridiksion fillestar kur gjykon akuzat penale kundër Presidentit, Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Anëtare e re e gjykatës, betohet Fana

TIRANE - Juristja Mirela Fana bëhet përfundimisht pjesë e togave të zeza të Gjykatës së Lartë. Në ambientet e kësaj gjykate u zhvillua dje ceremonia e betimit të anëtares më të re të Gjykatës së Lartë, Mirela Fana. "Anëtarja më e re e Gjykatës së Lartë u betua solemnisht se do t'i qëndrojë kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi, duke respektuar rregullat e etikës profesionale", pohuan dje burime zyrtare të kësaj gjykate. Gjyqtarja Fana u dekretua nga Presidenti i Republikës më 14.04.2009 dhe më pas mori pëlqimin dhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Përvojat e saj të mëparshme në drejtësi janë ato të  hetueses, prokurores gjyqësore, inspektore ligjshmërie pranë Gjykatës së Kasacionit dhe prej vitit 1996 e në vazhdim, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë.                    ar.ba

Vendimi I: "Durrës-Kukës"e pavlefshme

TIRANE - Me një vendim të dhënë më 10 prill 2009, Gjykata e Lartë pushoi akuzat për ministrin Lulëzim Basha, duke shpallur të pavlefshme aktet e dosjes "Durrës-Kukës". Duke u bazuar në vendimet e dhëna në Shkallën e Parë dhe të Dytë të gjyqësorit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë pushoi çështjen penale. Kolegji Penal e cilësoi "absolutisht të pavlefshëm" aktin e dërgimit të dosjes për gjykim në Gjykatën e Lartë. Vendimi u argumentua me kryerjen e procedurave të parregullta hetimore nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas vendimit të gjykatës, marrja e ministrit Basha në cilësinë e të pandehurit dhe njoftimi i akuzës ndaj tij, ishte bërë jashtë afateve ligjore të hetimit. Vendimi i 10 prillit i dha fund procesit gjyqësor ndaj ministrit, si edhe ndaj të pandehurit tjetër në dosje, ish-drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve, Andi Toma.          ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›