Korrupsioni, ministrat si në 2005
BLEDAR HOTI
Doganierët, tatimorët, ministrat, parlamentarët dhe doktorët janë vlerësuar si më të korruptuarit në 2009. Sondazhi i IDRA-s, i mbështetur nga ana e USAID, bën të ditur se "pothuajse gjysma e kampionit të publikut të gjerë, 48.5% mendon se korrupsioni është rritur krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që 38% mendojnë se ai ka mbetur i njëjtë. Drejtuesit fetarë, Presidenti, media, ushtarakët, mësuesit dhe drejtuesit e OJF-ve shihen si më të korruptuarit. Edhe pse ka një rritje për vitin 2009, në krahasim me vitin 2005 niveli i korrupsionit mbetet më i ulët. "Perceptimi i publikut të gjerë se korrupsioni midis zyrtarëve publikë është një dukuri e përhapur, nuk ka ndryshuar gjatë viteve. Ai vazhdon të mbetet ende i lartë. Sidoqoftë ka një rënie midis të intervistuarve, të cilët thanë se korrupsioni midis zyrtarëve publikë është 'shumë i përhapur', nga 57.1% në 2008, në 50.5% në 2009. Duke krahasuar këto të dhëna me ato të vitit 2005 shohim një rënie prej 16%", thuhet në faqen 11 të sondazhit. Por në të theksohet se "në vitin 2009 ministrat vlerësohen më keq se në vitin 2008, duke treguar një rritje prej 6.5 pikësh në shkallën e korrupsionit, duke arritur vlerësim të njëjtë me atë të vitit 2005". Për sa i përket perceptimit të korrupsionit, ushtarakët kanë pësuar një përkeqësim me 4 pikë në vitin 2008, por sipas raportit, në sy të publikut vazhdojnë të shihen si më shumë të ndershëm, se sa të korruptuar, me 39.2 pikë. "Korrupsioni i perceptuar te policët është përkeqësuar pak nga viti 2006, (59.5 pikë) në vitin 2009 shkon në 63.1 pikë. Ky ka qenë perceptimi i të intervistuarve në sondazhin e realizuar nga publiku, ku ndër 14 institucione, më të korruptuarit mbesin doganat, tatimet dhe ministrat. Ndërsa sondazhi ka prekur edhe mendimin e punonjësve të administratës. Në të ata shmangin ministrat si të korruptuar, në krahasim me atë që ka perceptuar publiku, duke nxjerrë në plan të parë sistemin e drejtësisë. Për këtë kategori më të korruptuarit janë doganierët, tatimorët, gjykatësit dhe prokurorët. Në këtë sondazh policët janë më të ndershëm, ndryshe nga sa mendon publiku i gjerë. "Punonjësit e sektorit publik mendojnë se korrupsioni midis zyrtarëve publikë është një dukuri 'e përhapur'. Gjatë katër viteve të fundit më shumë se 80% e punonjësve në sektorin publik mendojnë se korrupsioni është 'shumë i përhapur' ose 'disi i përhapur'. Krahasuar me publikun e gjerë, më pak të investuar në sektorin publik mendojnë se korrupsioni është një dukuri 'shumë i përhapur' 32.7% kundrejt 50.5% të publikut të gjerë", thuhet në faqen 11 të sondazhit.
Në përgjithësi, sipas raportit, përvoja me transaksionet korruptive ka rënë që nga viti 2005. Nga 10 mënyra përmes të cilave një individ mund të jetë pre e korrupsionit, në vitin 2009, numri mesatar i mënyrave të viktimizimit është mesatarisht 1.29 mënyra, nga 1.7 që ka qenë në vitin 2005. Nga dhjetë skenarët e paraqitur, përqindja e njerëzve, të cilët deklarojnë se kanë pasur të paktën një përvojë korruptive ka rënë nga 66.5% në 2005 në 57.1% në 2009.