E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjtë e jetimores, strehë në azil të pleqve

 

SHKODER - Shtëpisë së të Moshuarve në Shkodër i ka humbur prej kohësh funksioni vetëm si e tillë. Tashmë bashkë me moshën e tretë bashkëjetojnë edhe të rinj 30–vjeçarë të cilët pasi janë nxjerrë në rrugë nga jetimorja, kanë gjetur strehë tek të moshuarit. Ndërsa një pjesë jo e vogël e pjesëtarëve të azilit janë me probleme mendore apo edhe fizike. Sot në shtëpinë e të moshuarve jetojnë apo edhe rehabilitohen 67 persona. Ndonëse për këtë vit janë shtuar 20 persona, numri i personelit që u shërben atyre është i njëjtë. Këtë fakt e pohoi dje drejtoresha e Shtëpisë së të Moshuarve në Shkodër, Vildana Gushta. “Vitin e kaluar numri i personave në shtëpi u shtua me 20 të tjerë, ndërsa numri i personelit nuk ka ndryshuar fare. Kjo bën që të kemi dhe vështirësi. Në të përgjithshmen kushtet janë të mira. Por për të rritur standardet duhet të kemi një strukturë më të gjerë të stafit të punonjësve”, u shpreh Gushta. Në Shtëpinë e të moshuarve trajtohen 25 gra dhe 42 burra. Por sipas drejtoreshës Gushta gradualisht shtëpisë po i ikën funksioni i vetëm që ka pasur. “Ndryshe nga shtëpitë e qyteteve të tjera, institucioni ynë ka filluar duke e humbur pak atë kuptimin si shtëpi e të moshuarve. Kjo pasi këtu kemi grupmosha të ndryshme, nga 30 deri në 90 vjeç. Ne kemi pranuar edhe të rritur që dalin nga jetimorja e Shkodrës”, u shpreh më tej Gushta. Sipas saj, ka pasur disa raste që të moshuarit janë lidhur me njëri-tjetrin, madje dhe deri në martesë.                             r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›