E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Butrintit, dosja e pesë viktimave në gjykatë

 

SARANDE / SHPRESA DINE

Tragjedia e Butrintit shkon në Gjykatë. Ngjarja që shkaktoi 5 viktima do të shqyrtohet nga trupi gjykues në Sarandë, për të nxjerrë fajtorët e saj. Dosja “Butrinti” ka brenda 800 fletë, ku përshkruhen me hollësi veprimet e kryera nga organizatorët e trafikut klandestin, që mbrëmjen e 19 tetorit 2008 hipën në një varkë të vogël plot 17 vetë. Mbingarkesa çoi në përmbysjen e saj dhe humbjen e jetës së 5 njerëzve. Sipas burimeve nga organi i akuzës, ngjarja zë fill më 18 tetor të vitit të shkuar, kur të pandehurit Hiqmet Sollaku, Brahim Madhi dhe Albert Gega grumbulluan 27 klandestinët nga i gjithë vendi në Sarandë me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme. Linja që ata ndiqnin ishte ajo e kalimit të lundrës së Butrintit. Por, vendosja e patrullës së policisë i pengonte ata në vazhdimin e planit. Një pjesë e personave e kaluan natën në rrethinat e Butrintit, ndërsa një pjesë tjetër u kthyen në Sarandë. Në datën 19 tetor, të 27 personat u grumbulluan përsëri në Butrint por kësaj radhe në vendin e quajtur “Porta e Luanit”. Sipas akuzës, Sollaku ka folur me të pandehurin tjetër, Dashamir Mane, i cili, duke shfrytëzuar varkën në pronësi të Ahmet Bushi të kalonte klandestinët në bregun tjetër. Pas rrugës së parë me 12 vetë, në varkën e dytë u ngjitën 17 të tjerë, mes tyre dhe tre të pandehurit, Hyqmet Sollaku, Brahim Madhi dhe Dashamir Mane, i cili drejtonte varkën. Mësohet se në ato momente ka nisur të qajë fëmija 3 muajshe, Klara Jaho, një prej viktima të natës së tragjedisë. I pandehuri Madhi ka tentuar të shkojë te cepi tjetër i varkës, për t’u kërkuar prindërve të pushonin fëmijën. Por, kjo lëvizje dhe animi i njerëzve për t’i hapur rrugë atij shkaktoi lëkundjen e më pas përmbysjen e varkës, rreth 50 metra nga bregu i nisjes. Pas përmbysjes së varkës të gjithë ranë në ujë. Të tre të pandehurit u larguan me not, bashkë me 9 klandestinë që shpëtuan. Trupat e 5 të vdekurve u gjetën njëri pas tjetrit disa ditë më vonë, ndërsa linin në ankth familjarët që nuk dinin asgjë për fatin e tyre. Të arrestuar janë aktualisht Hiqmet Sollaku dhe Dashamir Mene, ndërsa do të gjykohen në mungesë Brahim Madhi dhe Albert Gega. Ndaj tyre rëndon akuza e “dhënies ndihmë të kalimit të kufirit, me pasojë vdekjen”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›