E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi imagjinar Karamanlis-Bollano

Nikollaq Neranxi 

Nuk ishte në qendër të vëmendjes së mediave apo të opinionit kureshtar. Nuk u bë takimi më i diskutuar për publikun. Ky takim, i cili prej disa ditësh ishte menduar si i pazakontë për kryebashkiakun e Himarës, në të vërtetë e theu protokollin. Zgjati më shumë nga sa ishte parashikuar, madje edhe vetë zoti Dule, kryetari i PBDNJ-së, priti sa të mbaronte zoti Bollano, duke qenë i kënaqur nga mënyra se si ky i fundit po e shfrytëzonte kohën e takimit  Kurrë ndonjëherë më parë zoti Dule, politikani më me përvojë në minoritet, nuk kishte dëgjuar një kryetar lokal të fliste në këtë mënyrë me kryeministrin e Greqisë. Pak a shumë ligjërata e kryebashkiakut të Himarës, në adresë të kryeministrit të duruar Karamanlis, ishte kjo: “Zoti kryeministër, unë nuk kam ankesa, por kam disa kërkesa. Nuk është se këto kërkesa vijnë nga që unë s’kam pasur mbështetjen e qeverisë së zotit Berisha, pasi më duhet të të them se unë personalisht nuk kam pasur kryeministër më mik në këto vite të jetës sime. Por janë kërkesa që lidhen me projektin që kam unë për Himarën dhe himarjotët. Kam katër vjet që mendoj se ia kam dalë të kthej sytë e opinionit grek dhe shqiptar nga Himara. Unë kam realizuar atë që për 19 vjet nuk ishte realizuar. Kontribuova që toka himarjote të shkonte vetëm tek i zoti. Tani që të gjithë himarjotët kanë hipotekat dhe janë pronarë me dokumente të trojeve të tyre. Ia kemi dalë tashmë që Himara të jetë qyteti dhe sofra më e preferuar e bregdetit jugor të Shqipërisë. Këtë e kam bërë më prezent sidomos në dy-tre muajt e verës, kur është sezoni veror. Unë kam shpalosur një projekt që e kthen Himarën nga një qytet i vogël, modest, në një qendër turistike me shumë resurse dhe me shumë perspektivë. Për ta bërë plotësisht të realizueshëm këtë projekt, unë kam nevojë për disa mbështetje dhe ndihmesa nga qeveria që ju drejtoni me kurajo dhe dashamirësi, duke parë dhe kujdesin e veçantë që keni për Himarën tonë. Unë zoti kryeministër kam këto projekte: Kemi miratuar me këshillin bashkiak të Himarës, madje e kemi kaluar edhe në KRT-në lokale, një projekt për portin e Himarës. Zoti Berisha na ka premtuar se do të kontribuojë për lehtësimin e procedurës burokratike për projektin dhe lejen, por na ka afruar një fond, i cili është i pamjaftueshëm. Ne kemi një preventiv të bërë nga specialistë dhe kemi nevojë që edhe nga qeveria juaj apo institucione donatore, të na ndihmoni. Ne kemi menduar që të instalojmë një impiant për pastrimin biologjik të ujërave të zeza, që të ndalojmë shkarkimin e tyre në det dhe një projekt tjetër për kanalizimet në qendrat më të populluara dhe që kanë një perspektivë të afërt urbanizuese. Kemi gjithashtu një projekt për grumbullimin dhe pastrimin e mbetjeve urbane. Edhe kjo kërkon një investim të konsiderueshëm. Kemi një projekt të gatshëm për ndërtimin e një impianti ujësjellësi nga Kuçi në Himarë për furnizimin me ujë të pijshëm të gjithë qytetit. Jemi duke menduar edhe për krijimin e një biblioteke për qytetin, pasi është mëkat që nuk kemi një të tillë. Dhe meqë kemi kaq shumë punë, zoti Karamanlis, ne kemi nevojë që disa prej nëpunësve modestë të zyrës së urbanistikës së Himarës, të asistohen nga Instituti Urbanistik i Athinës, pasi në këtë mënyrë edhe verifikohen projektet tona, por edhe përmirësohen ato, për t’iu përgjigjur zhvillimit dhe perspektivës së Himarës. Në këto projekte ne kemi parashikuar edhe ndërtimin e një limani jahtesh në Spile (quhet lagjja qendër e Himarës) dhe një në Porto Palermo. Kjo në Spile është imediate, pasi këtë behar përfundon edhe afati ligjor i veprimit të moratoriumit të skafeve, të cilin kryeministri Berisha ia kishte premtuar një miku të tij, politikan në Itali dhe në fakt e mbajti fjalën. Duke u mbyllur afati kohor i veprimit të moratoriumit, parashikojmë të kemi një dyndje turistësh dhe pushuesish, të cilët do të vizitojnë për një ditë Himarën, gjatë këtij behari që po na troket. Në këto projekte kemi parashikuar edhe ndërtimin e disa fshatrave turistikë, të cilat do t’ua besojmë kompanive europiane me përvojë dhe që u kemi bërë gati infrastrukturën rrugore, falë investimeve të lavdërueshme që ka bërë qeveria e zotit Berisha. Të gjitha këto zoti Karamanlis, na bëjnë të besojmë se nga 1 milion euro që është buxheti i Bashkisë, ai të arrijë në 10 milionë. Kjo do të thotë se ne po dhjetëfishojmë të ardhurat për Himarën. Zoti kryeministër, kam edhe diçka tjetër. Unë thellësisht nga zemra dua të të falënderoj që më dëgjon deri në fund. Ne kemi edhe një kërkesë tjetër, të cilën ta bëj në emër të prindërve të të rinjve dhe shkollarëve të Himarës. Ne, duke qenë një krahinë arsimdashëse dhe që çdo familje shpenzon shumë për shkollimin e fëmijëve të tyre, kemi nevojë që ju të na mundësoni akordimin e disa bursave apo të drejtave të studimit për të rinjtë himarjotë. Në Himarë mbarojnë çdo vit 30 maturantë. A nuk do të ishte e vlefshme që në listën e bursave që ju afishoni dhe miratoni, të përfitojnë edhe të rinjtë e Himarës, të cilët janë dy gjuhësh? Lutem zoti kryeministër, që të gjitha këto kërkesa që ne kemi, t’i konsideroni thjesht si shprehje e interesimit të bashkisë sonë, e cila synon të jetë një zonë europiane, që synon emancipimin dhe europianizimin e saj, të cilin e trashëgon në thellësi të origjinës dhe lashtësisë së saj”.
Më në fund ndërhyri kryeministri Karamanlis! “Zoti Bollano, kam ardhur dy herë në Shqipëri dhe kurrë ndonjëherë nuk kam takuar  ndonjë kryetar vendor që të më gozhdojë me kërkesa të tilla jetësore dhe jo politike. Ti je një bir i vërtetë i pragmatizmit. Unë të adhuroj vetëm për këtë kurajo dhe vendosmëri. Jam i befasuar nga takimi dhe nga vendosmëria jote, për të realizuar projektet që u ke premtuar dhe u ke planifikuar votuesve të tu…”.
Pas këtyre fjalëve, kryetari i PBDNJ-së, zoti Dule, hyri në takimin e radhës dhe nisi dialogun me kryeministrin Karamanlis me fjalët: “Oratoria kërkuese e zotit Bollano, më pasuroi edhe mua…”. Të nderuar lexues, e gjithë e shkrojtura ime më sipër, ishte vetëm një rrëfim imagjinar. Nuk ka ekzistuar kjo bisedë mes kryebashkiakut të Himarës njëherësh edhe kryetar i OMONIA-s, me kryeministrin e nderuar Kostas Karamanlis, njëkohësisht dhe me kryetarin e respektuar të PBDNJ-së, zotin Vangjel Dule. Sipas mediave, takimi i kryebashkiakut të Himarës lidhej vetëm me arsyen e të qenit kryetar i organizatës dhe jo si kryebashkiak i Himarës. Jam i sigurt se duke e njohur nga afër, këtë të zgjedhur që i ka lodhur sidomos qytetarët e Himarës, ai di të jetë vetëm penguesi kryesor i bllokimit të procesit të kthimit të pronave te i zoti në Himarë si dhe i krejt zhvillimit të kësaj zone. Në takimin real mes zotit Karamanlis dhe zotit Bollano, vetëm problemet e servirura sipas imagjinatës sime, nuk u cekën. Por natyrisht që jam i sigurt edhe për diçka tjetër, që mes kryeministrit Karamanlis dhe zotit Dule, mund të jenë shkëmbyer shikime që kanë pasur si domethënie shprehjen greke: “aftos fenete pu dhen ine gnisios elinas…!” (Ky duket që nuk është grek i vertetë!”)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›