E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negativ, rasti i parë i dyshuar për grip derrash në Shqipëri

 

zirina llambro

Është mbajtur i fshehtë për të mos përhapur panik në popullatë. Deri dje pasdite strukturat e shëndetësisë kanë qenë në alarm shumë herë më të madh nga sa është deklaruar publikisht. E dyshuara e parë në Shqipëri ka qenë një grua nga Tirana. Menjëherë pas kthimit nga një udhëtim jashtë shtetit i janë shfaqur simptomat e gripit. Pas vizitës te mjekët, rasti është raportuar dhe kanë nisur menjëherë analizat e hollësishme. Lajmin e konfirmojnë për gazetën burime të sigurta nga Instituti i Shëndetit Publik. ”Për fat të mirë analizat dolën negative dhe pacientja është shëndoshë e mirë, ishte prekur thjesht nga një grip i zakonshëm”, sqaruan burimet. Sipas tyre, veç këtij nuk ka asnjë rast tjetër të dyshuar nga rrethet. Risku i vendit tonë për t’u prekur nga virusi i rrezikshëm, tashmë është tepër i lartë. Harta e vendeve ku janë shfaqur raste është zgjeruar ndjeshëm dhe dyshimet sa vijnë e shtohen. Kjo ka qenë arsyeja që në një takim urgjent, specialistët kanë kërkuar që të raportohet çdo rast gripi pa u neglizhuar në gatishmëri maksimale. “Çdo rast gripi duhet të konsiderohet sikur kemi të bëjmë me gripin e derrave. Shenjat janë gati të njëjta e për këtë arsye duhet raportuar çdo person që i shfaq”. Këtë deklaratë bënë dje specialistët e ISHP-së. Ndërsa drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal sqaroi se janë dhënë të gjitha udhëzimet e nevojshme, në rast të konstatimit të simptomave të virusit. “Masat do të jenë të menjëhershme, qoftë izolimi i rasteve që do të konstatohen dhe do të jenë të prekura, deri tek ekzaminimet laboratorike, pranë Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë dhe Drejtorisë së Shëndetit Publik të Tiranës”, tha Gecaj. Ai shtoi se sa i përket aeroportit të Rinasit, si e vetmja pikë kufitare në rajonin e Tiranës, janë marrë të gjitha masat. “Sot kemi shtuar dhe 2 mjekë të tjerë të shërbimit të epidemiologjisë, për të bërë të mundur, mbajtjen nën kontroll të gjithë situatën”, tha drejtori i ASHR. 

Pandemia arrin në fazën e pestë

OBSH deklaroi dje se pandemia është pranë dhe vlerësohet në fazën e pestë. Kjo fazë karakterizohet nga përhapja e virusit nga njeriu te njeriu, në të paktën në dy vende në një rajon të OBSH. Për rrjedhojë rekomandohet marrja e masave të menjëhershme. Mediat e huaja kanë publikuar dje lajmin se gripi i derrave po i afrohet Ballkanit. Në Serbi është dhënë alarmi për rastin e parë të dyshimtë të prekjes nga sëmundja. Mjekët po i bëjnë analizat një gruaje që kishte ardhur nga Teksasi në qytetin e Novi Sadit, në veri të vendit.

Importi i mishit nga vendet latine,30 milionë dollarë në vit

Mishi i importit që konsumojnë shqiptarët mbërrin kryesisht nga vendet latine. Të dhënat vijnë nga Ministria e Bujqësisë. Për 2008 nga Brazili, Argjentina, Uruguaj dhe Kili janë sjellë në vendin tonë rreth 90 mijë ton mish. Këtu bën pjesë dhe ai i derrit. Me vendet nga kemi importuar produktet shtazore , Organizata Botërore e Shëndetësisë ka pasur probleme të shumta rreth sigurisë ushqimore. Madje nga sa pranojnë burime të sigurta nga Ministria e Bujqësisë janë bllokuar në kufi sasi të konsiderueshme produktesh mishi që vijnë nga vendet latine, si pasojë e mungesës së standardeve. Ndonëse specialistët pohojnë se konsumi i mishit të derrit nuk përbën asnjë risk për t’u prekur nga virusi që po qarkullon, cilësia lë shumë për të dëshiruar. Por Ministria e Bujqësisë garanton se pavarësisht kësaj, mishi i importit nuk kërcënon jetën e njeriut. “Është tregu ai që përcakton dhe rregullon standardin dhe cilësinë e produktit. E vetmja mundësi për të ndërhyrë është që të detyrojmë me ligj tregtarin që në etikën e produktit të vendosë cilësinë e mallit, nëse është e parë, e dytë apo e tretë. Pastaj, vetë konsumatori bën zgjedhjen”, theksojnë burime zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›