Zënkat me të dashurin, vetëvaret 16-vjeçarja
TIRANE - Një vajzë 16-vjeçare është vetëvarur mëngjesin e djeshëm në oborrin e shtëpisë së saj në Zall-Herr, zonë periferike e kryeqytetit. Arlinda P., është gjetur e varur në oborr nga nëna e saj, që sapo ishte kthyer nga puna. Sipas policisë dyshohet se shkaku i kësaj ngjarje të jenë zënkat që vajza ka pasur me një djalë, i cili mendohet se ka qenë i dashuri i saj. Këtë fakt e ka konfirmuar një shoqe e 16-vjeçares, të cilën viktima e ka takuar disa orë para se të kryente vetëvarjen. Adoleshentja që vazhdonte gjimnazin në vit të dytë, dje nuk ka shkuar në shkollë, duke u thënë prindërve që ishte sëmurë. Duke përfituar nga fakti që ishte vetëm në shtëpi, vajza ka gjetur momentin e përshtatshëm për ngjarjen. Sipas burimeve nga Komisariati Nr.5, Arlinda P., nuk ka dhënë shenja paralajmëruese për ngjarjen, madje asgjë me saktësi nuk dihet për shkaqet e ngjarjes. Ndërkohë policia ka kontaktuar me shoqen e adoleshentes, me të cilën ajo ishte takuar para vetëvarjes. Edhe pse vajza nuk i kishte treguar asgjë për veprimin që kishte marrë, mësohet se viktima i ka thënë shoqes së saj se ishte zënë me të dashurin dhe ishte e mërzitur për këtë. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve, që çuan në vetëvrasje nxënësen e vitit të dytë të shkollës së mesme. Ndërkohë, familjarët kanë dëshmuar që nuk kishin vënë re ndonjë sjellje të dyshimte të vajzës së tyre gjatë ditëve të fundit. Deri tani oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit janë bazuar në dëshminë e shoqes së Arlinda P., ndërkohë që pritet që të merret në pyetje edhe djali, me të cilin ajo dyshohet se kishte lidhje, që mund të ketë ndikuar në shkaktimin e ngjarjes tragjike. e.d