E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Prokurorisë: Dosja do të gjykohet nga i njëjti kolegj

20 të pandehurit, kërkesë Gjykatës: “Mos na gjykoni me të njëjtën çështje me Mediun”. Prokuroria: Trupi gjykues ka njohje të vjetra me miqtë e të pandehurve

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykata e Lartë rrëzoi dje kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për përjashtimin e tre nga pesë gjyqtarët e trupit gjykues të çështjes “Gërdeci”, që numëron 29 persona të pandehur, ndërmjet tyre edhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Gjatë seancës së djeshme, e cila zgjati pesë orë, përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Sokol Stojani, kërkoi largimin nga kolegji penal i kësaj gjykate e gjyqtarëve Besnik Imeraj, Evgjeni Sinoimeri dhe Irma Bala, kërkesë të cilën e argumentoi: “Për një proces të paanshëm të çështjes ‘Gërdeci’”. Sipas Stojanit, vajza e gjyqtarit Imeraj ka qenë avokate në studion ligjore që ka bërë dokumentacionin e firmës “Albademil” të Mihal Delijorgjit, i pandehur në këtë proces. Gjithashtu, gjyqtari Besnik Imeraj, sipas tij, është mik i vjetër i Ilirjan Celibashit, kunatit të Fatmir Mediut. Sa i përket anëtarëve të tjerë të këtij kolegji, gjyqtarëve Sinoimeri dhe Bala, Stojani argumentoi për një konflikt interesi të tyre, duke theksuar se ato kanë marrë pjesë në procesin për masat e sekuestros ndaj aseteve të të pandehurit Mihal Delijorgji. Këto kërkesa u kundërshtuan nga mbrojtja ligjore e të pandehurve, Mihal Deliorgji dhe Fatmir Mediu, e cila i cilësoi të pabaza pretendimet e Prokurorisë së Përgjithshme.
Avokati i Fatmir Mediut, Ardian Visha, tha se argumenti i miqësive personale nuk qëndronte, pasi ai vetë ka njohje të afërt me dy nga pesë prokurorët që përfaqësojnë akuzën, Arqile Koca dhe Kujtim Luli.
Vendimi
Kërkesat e Prokurorisë së Përgjithshme u shpallën të pavlefshme nga një tjetër trup gjykues, që drejtohej nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Seanca vijoi më tej me prezantimin e kërkesave paraprake të palëve në proces, ku pjesa më e madhe e përfaqësuesve ligjorë të të pandehurve kërkuan veçimin e çështjeve ndaj klientëve të tyre dhe shqyrtimin e tyre në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. Për ta, shqyrtimi i çështjes në Gjykatën e Lartë nuk u jep mundësi ankimimi për vendimmarrjen. Por nuk munguan dhe argumentet se disa nga të pandehurit nuk akuzoheshin për bashkëpunim me Fatmir Mediun, i cili për shkak të cilësisë si deputet procedohet nga Gjykata e Lartë. Për rrjedhojë, këta të pandehur duhet të gjykohen në Gjykatën e Shkallës së Parë.
Në seancën e djeshme, dy përfaqësuesit e familjarëve të viktimave të Gërdecit kërkuan legjitimimin si palë në proces dhe shqyrtimin e padive civile për dëmshpërblimin e tyre. Gjithashtu, legjitimimin si palë në proces e kërkoi edhe përfaqësuesi i Avokatit të Shtetit, i cili bëri prezente padinë e ngritur ndaj firmës "Albademil" të Mihal Deliorgjit për dëmshpërblimin e shtetit. Në përfundim, Gjykata e Lartë vendosi të shtyjë seancën, duke caktuar datën 22 maj për zhvillimin e saj.
Kërkesat
Ditët e ardhshme Gjykata pritet të shprehet për kërkesat e palëve në procesin "Gerdeci". Si të akuzuar të kësaj çështjeje janë 29 persona, mes tyre ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në pjesën më të madhe të tyre, të pandehurit akuzohen për "shpërdorim të detyrës, në bashkëpunim". Ndërsa katër prej tyre akuzohen, ndër të tjera, për vrasje të disa personave. Këta persona janë marrë në përgjegjësi penale nga Prokuroria e Përgjithshme për ngjarjen e ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në fshatin Gërdec të bashkisë së Vorës (Tiranë), kur si pasojë e një shpërthimi në Fabrikën e Demontimit të Municioneve Luftarake humbën jetën 26 persona, dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa u shkaktuan dëmtime të shumta materiale.

Gjykata e Lartë shtyn për më 22 maj seancën për Gërdecin

Gjykata e Lartë shtyn për më 22 maj seancën për dosjen “Gërdeci. Shkak është bërë kërkesa e të pandehurve për veçim të dosjes. Të pandehurit kanë kërkuar të gjykohen nga Gjykata e Shkallës së Parë, me pretendimin se nuk janë persona me imunitet. Në këtë datë Gjykata e Lartë do të vendosë nëse Fatmir Mediu do të gjykohet së bashku me 28 të pandehurit e tjerë të tragjedisë, apo dosja do të veçohet dhe të pandehurit e tjerë do të gjykohen fillimisht në Gjykatën e Tiranës.

Gërdeci, hapet procesi, Mediu mungon sërish

Në Gjykatën e Lartë nisi dje seanca e dytë gjyqësore në ngarkim të 29 të pandehurve për tragjedinë e Gërdecit. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, një nga të pandehurit, nuk ishte i pranishëm në seancë, por u përfaqësua nga avokati i tij, Ardian Visha. Nga 29 të pandehur, të cilët Prokuroria i ka ulur në bankën e të akuzuarve si përgjegjës për shpërthimin e fabrikës së demontimin “Albademil”, vetëm 4 janë të arrestuar: ish-drejtori i kompanisë shtetërore “MEICO”, Ylli Pinari, administratori i kompanisë "Albademil", Mihal Delijorgji dhe ish-drejtori Teknik i fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli, si dhe ish-punonjësi i MEICO-s, Sokol Gjeci. Në seancën e djeshme gjyqësore, i pranishëm nga të pandehurit e arrestuar ishte vetëm Gjeci, ndërsa 3 të pandehurit e tjerë u përfaqësuan nga avokatët mbrojtës.
Procesi gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit nisi javën e kaluar, por u shty për shkak të mosparaqitjes së disa të pandehurve, por dhe disa avokatë nuk kishin prokurën përkatëse që i lejonte të përfaqësonin klientin e tyre në gjykim.

Të dhëna zyrtare pas tragjedisë, që janë në dosjen për gjykim

26 viktima;
27 persona të plagosur rëndë;
109 personave të plagosur lehtë nga kjo vepër penale;
67 persona me dëmtime të tjera të lehta nga kjo vepër penale;
61 persona të tjerë të trajtuar në spitale, për të cilët nuk është mundësuar përcaktimi i shkallës së dëmtimit;
5829 personave u është shkaktuar dëm material në vlerë 2 141 343 616 lekë, nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfaqësojnë shkatërrime dhe dëmtime banesa, biznese, orendi të tyre, 13
ferma bujqësore dhe blegtorale (kjo vlerë dëmi është kompensuar nga shteti dhe interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit).

Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 102 500 000 lekë nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv që përfshin shkatërrimin dhe dëmtimin e objekteve sociale, shkollave, zyrave dhe orendive të tyre, interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit;

shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 1 323 600 354 lekë nga veprat penale të shpërdorimit të detyrës, që përfaqësojnë pasuri në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.

12 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›