Kështu, në çdo shtëpi
Volfgang BORHERT
Shkrimtari duhet t’i vërë emrin shtëpisë, që ndërtojnë të gjithë.
Edhe dhomave të veçanta. Atë të të sëmurit duhet ta quajë “Dhoma e trishtë”, papafingon “Dhoma me erë”, ndërsa podrumin “Dhoma e errët”. Podrumin s’mund ta quajë “Dhoma e bukur”.
Kur nuk i japin laps, duhet të dëshpërohet nga kjo torturë.
Atëherë duhet të provojë të gërricë në mur me bishtin e lugës. Si në burg. Kjo është një gërvishtje e shëmtuar. Veç, nëse nuk e bën, ai nuk është shkrimtar i vërtetë. Duhet të flaket te pastruesit e rrugëve.
Kur letrat e shkrimtarit lexohen në një shtëpi tjetër, ato duhet të kuptohen:
“Aha, po!”
Kështu në çdo shtëpi.
S’ka rëndësi nëse janë shkruar me gërma të mëdha a të vogla, mjaft që shkrimi të jetë i qartë.
Shkrimtari duhet të banojë në papafingon e shtëpisë, ku janë kushtet ideale për të. Me të vërtetë shkëlqyeshëm: bukur e frikshëm. I qetë dhe i veçuar atje lart, më pranë cikmës e zhegut.
Po të provonte ndonjë gurskalitës për t’u ngjitur në shtëpinë e shkrimtarit, ndoshta mund t’i vinte mendja rrotull. Por shkrimtari s’ka përse të tërhiqet, gurskalitësi lipset të mësohet me lartësitë, mirë do t’i bënte.
Gjatë natës, shkrimtari duhet të vëzhgojë yjet.
Mjerë ai, po s’e kuptoi kur shtëpia e tij ndodhet në rrezik. Atëherë duhet të thërrasë fort, të oshëtijë zëri i tij, derisa t’i shpërthejnë teshat e t’i pëlcasë kraharori.
Përktheu Jonida Bishqemi
11 Maj 2009