E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurti: Nesër nuk shkoj në Gjykatë të Qarkut

Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka thënë për Kosovapress se me rihapjen e procesit gjyqësor kundër tij, misioni i EULEX-it ka dëshmuar veten se po vazhdon avazin e vjetër të UNMIK-ut dhe se në fakt ky mision paraqet vetëm një UNMIK të ri, ndërsa ka bërë të ditur se nuk do të paraqitet në seancën e nesërme gjyqësore për ngjarjet e 10 shkurtit.

Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë EULEX nesër do ta rifillojë gjyqin kundër Albin Kurtit nga Lëvizja “Vetëvendosje!”.

Lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, procesin kundër tij e quan të montuar politikisht, duke thënë se me këtë proces gjyqësor EULEX-i po e konfirmon komplet analizën e “Vetëvendosje”-s se ai në fakt paraqet vetëm një UNMIK të ri.

Ndërkohë, që Këshilli Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit kanë kërkuar mbylljen e procesit të montuar politik gjyqësor, lideri i “Vetëvendosjes” paralajmëron se nuk do t’i përgjigjet ftesës së EULEX-it për t’u paraqitur nesër në seancën gjyqësore.

“Unë nesër nuk shkoj në Gjykatë të Qarkut. Seanca gjyqësore janë të caktuar po në ditët në vijim, por nuk do të shkoj në asnjërën prej tyre vullnetarisht. Do ta vazhdoj aktivitetin sikurse çdo ditë, dhe çka do të ndodhë në të ardhmen nuk e di, por nuk e kam ndërmend ta shkeli parimin”, ka thënë Kurti.

Për më tepër, numri një i “Vetëvendosjes” nuk e përjashton mundësinë e arrestimit të tij nga EULEX-si, pasi që sipas tij EULEX-i bazohet në Rezolutën 1244 dhe në gjashtë pikshin e sekretarit të përgjithshëm Ban Ki- Mun.

Kurti akuzohet për organizimin e një turme që ka kryer vepër penale, për drejtimin dhe pjesëmarrjen në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, si dhe për thirrje në rezistencë me forcë ose me kërcënim të rëndë më 10 shkurt 2007.

Lëvizja “Vetëvendosje!” ka mbajtur një demonstratë paqësore në Prishtinë, por ndaj së cilës është ndërhyrë dhunshëm nga policia e UNMIK-ut. Si pasojë dy protestues paqësorë u vranë nga policia rumune e UNMIK-ut dhe më shumë se 80 të tjerë u plagosën dhe lënduan.

As sot e kësaj dite policët rumunë nuk kanë dalë para drejtësisë, por pak kohë pas vrasjes, ata janë kthyer në shtëpi./Kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›