Incident në manastirin e Graçanicës

Shkarkimi i peshkopit Artemije për shkak të keqpërdorimit të mjeteve financiare, ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e murgjve në Manastirin e Graçanicës, një pjesë e të cilëve kanë dashur të qërojnë fizikisht hesapet me përkrahësit e Sinodit të shenjtë.
Një grup murgjish janë mbledhur të dielën në Manastirin e Graçanicës për të protestuar ndaj shkarkimit të peshkopit Artemije dhe janë shprehur kundër largimit të tij. Ata me këtë rast kanë dashur të qërojnë hesapet me murgjit të cilët mbështesin vendimin e Sinodit të shenjtë për shkarkimin e Artemijes.
Incidenti në Manastirin e Graçanicës është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, sipas të cilit policia ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Policia e Kosovës ka pranuar sot një informacion se është duke u mbajt një protestë te manastiri i Graçanicës. Protesta kishte për qëllim të kundërshtojë vendimin e Sinodit të shenjtë për shkarkimin e peshkopit Artemije. Policia e Kosovës ka qenë prezente, por nuk ka pasur nevojë të intervenojë”, ka thënë për Kosovapress Kelani.
Tashmë, situata në manastirin e Graçanicës është e qetë dhe se protestuesit janë shpërndarë.