Kartat e identitetit, qeveria rikthen penalizimet
Qeveria rikthen penalizimet ndaj atyre që nuk aplikojnë për kartat e identitetit. Ministria e Brendshme paralajmëroi dje qytetarët se nuk do të përfitojnë asnjë shërbim nga institucionet shtetërore nëse nuk pajisen me kartat e identitetit. Këtu përfshihet edhe mos dhënia e pagave apo të pensioneve. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja ftoi edhe një herë qytetarët të aplikojnë për kartat e identitetit. “Ministria e Brendshme rikujton edhe njëherë se letërnjoftimi elektronik është një dokument, që nuk vlen vetëm për zgjedhjet parlamentare të qershorit, por edhe për të marrë shërbimet e institucioneve shtetërore. Mospasja e kartës së identitetit do të krijojë pamundësinë e marrjes së këtyre shërbimeve për pensionistët, studentët dhe të gjithë qytetarët e tjerë”, deklaroi Konja. Zëdhënësi i këtij dikasteri ka publikuar me shifra ecurinë e procesit dhe ka rikujtuar se tashmë qytetarët mund të aplikojnë njëkohësisht edhe për pasaportat biometrike. “Deri në datën 26 mars 2009 kanë aplikuar 350 mijë shtetas, ndërkohë në Qendrën Kombëtare të Personalizimit të së Dhënave janë prodhuar 250 mijë karta identiteti”, tha Konja. Çështja e pajisjes me kartat e identitetit ka sjellë përplasjet ndërmjet maxhorancës dhe opozitës. Socialistët kanë paraqitur një nismë ligjore që parashikon pajisjen me karta falas së qytetarëve. Por kjo nismë është kontestuar fuqishëm nga ana e qeverisë, ku vetë Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar atë si një përpjekje për bllokuar procesin për pajisjen me dokumentin e identitetit. “Edi Rama po del çdo ditë në media për të nxirë procesin më të rëndësishëm për historinë e vendit”, tha Berisha në një emision televiziv. Vetë zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone akuzoi socialistët se me nismën e tyre të lançuar kanë frenuar procesin e aplikimit me karta identitetit, duke bërë që ketë deri në 2-3 mijë aplikime në ditë, në krahasim në ditët e kaluara. Sipas Pones, një ulje e tillë është tejkaluar. Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur një komision parlamentar ad-hoc për monitorimin e procesit të aplikimit me karta, si dhe me përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Deri më tani ky komision që drejtohet nga demokrati Rusmali dhe socialisti Islami zhvilloi një takim në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile për t’u njohur më nga afër me procesin.
shifrat
• Procesi i aplikimit për letërnjoftime elektronike deri më tani ka filluar në 210 njësi vendore.
• Deri në datën 26 mars 2009 kanë aplikuar 350 mijë shtetas,
• Në Qendrën Kombëtare të Personalizimit të së Dhënave janë prodhuar 250 mijë karta identiteti.
• Prej disa ditësh ka filluar në Tiranë edhe procesi i aplikimit për pasaporta biometrike
• Synohet që në ditë të aplikojnë deri në 15 mijë qytetarë në të gjithë Shqipërinë.