E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bechtel-Enka”, asnjë ditë pushim për punëtorët

 

KUKES / JONUZ HALLAÇI

Firma “Bechtel Enka” që realizon projektin Rrëshen-Kalimash, pjesë e korridorit Durrës-Kukës-Morin lëshon alarmin e fundit. Në 3 muajt e mbetur për përfundimin e projektit nuk do të ketë asnjë ditë pushim dhe asnjë festë për 2700 punëtorët dhe specialistët vendas e të huaj që janë punësuar në këtë projekt.
Veç rrugës, në projekt përfshihen dhe 27 ura, ndërsa vepra më e vështirë dhe e rëndësishme e gjithë projektit është tuneli i Kalimashit. Afati i fundit i parashikuar ka qenë muaji qershor e pikërisht para zgjedhjeve është premtuar prerja e shiritit nga qeveria aktuale. Mësohet nga burime të brendshme se administrata e firmës u ka kumtuar qartë punëtorëve dhe specialistëve se nuk do të ketë asnjë ditë pushim deri në mbarimin e punës, përveç rasteve të jashtëzakonshme. Në 45 km rrugë nga Rrësheni deri në Kolsh të Kukësit po hidhet brezi i sigurisë e më pas asfalti, ndërkohë që pjesa më e madhe e 27 urave janë në përfundim e sipër. Problem është ecuria e punimeve në tunelin e Kalimashit, kur në dy galeritë kanë mbetur rreth 480 metra pa u hapur nga 11 km nga gjatësia e tij. Vetë ministri i Transportit, Sokol Olldashi pohoi se në fillim të majit tuneli do jetë hapur plotësisht. Megjithë deklarimet e politikanëve, faktet në terren flasin ndryshe. Problemet e shpronësimeve nga qeveria konsiderohen të tejkaluara, por në terren ato ende nuk janë zgjidhur. Në projekt është parashikuar dhe ndriçimi, vendet e ndërrimit në rast urgjencash, montimi i pajisjeve të sigurisë dhe elementë të tjerë të rëndësishëm. Ndërsa në tunel pohohet se puna ka ecur me ritme të kënaqshme dhe me cilësi, përgjatë segmentit Kolsh-Kukës-Morin, 27 km e gjatë ecuria lë për të dëshiruar, çka e bën të dyshimtë përfundimin e projektit brenda qershorit. Nga Kolshi në Kukës urat janë në fazën fillestare. I gjithë projekti është 170 km i gjatë, me 4 korsi në shumicën e gjatësisë së tij dhe ka kushtuar përafërsisht 1 miliard dollarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›