Kompleks për familjet e pastreha
KORÇE - Së shpejti në Korçë do të marrë udhë ndërtimi i një blloku banesash për familjet e pastreha. Në truallin pronë të bashkisë dhe financim të USAID parashikohet të strehohen 750 familje. Dje në këtë qytet u organizua një takim me pjesëmarrjen e Shoqatës së Arkitektëve, Shoqatës së Ndërtuesve, të Zyrës Rajonale të Zvillimit, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë etj. Sipas statistikave të bashkisë, në Korçë janë 1800 familje të regjistruara si të pastreha. Kryebashkiaku Niko Peleshi u shpreh se kompleksi që do të ndërtohet do të vihet në dispozicion të të pastrehëve. Në fillim do të afrohen 250 deri 300 banesa sociale me kosto të ulët dhe 450 deri 500 banesa, që do të jepen me qira të ulët. Sipas Peleshit, do të ndërtohen edhe institucione social–kulturore në shërbim të banorëve. j.gj