E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Lufta antikorrupsion na futi në NATO

 

Igli Cara dhe Ardian Kollozi janë votuar nga baza si dy drejtuesit më të rinj të PD-së në degën e Durrësit dhe të Vlorës. Kryetari i PD-së, Kryeministri Sali Berisha, mori pjesë në konferencën e IX-të të PD-së së Durrësit. Në diskutimin e tij kryeministri është fokusuar në arritjen e qeverisë së tij. “Është lufta kundër korrupsionit që mundësoi anëtarësimin në NATO. Qeverive të vendeve anëtare do t’u vinte turp të ratifikonin protokollet pa hapin cilësor të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Në dëshmuam seriozitet dhe përkushtim”, u shpreh Berisha. Ndërsa ka pranuar se korrupsioni ende ekziston, Berisha u shpreh se tani nuk ka më monopole të qeveritarëve. “Nëse qeveria e mëparshme ishte e mbushur me konflikte interesi, - ministri Duka mbante monopolin e ushqimeve, tjetri të naftës, e kështu me radhë, sot në administratë vërtetë ka të korruptuar, por nuk ka ministra a zyrtarë që mbajnë monopolet private të tregtisë së tyre. Kjo përbën një diferencë si nata me ditën”, tha Berisha. Kryeministri tha se: “Ka një tendencë çnjerëzore për të rritur taksat e biznesit të vogël”. “Ne, absolutisht, do të ndërhyjmë me ligj dhe askush të mos mendojë se do të përdorë pavarësinë e pushtetit vendor, për të vendosur barrë mbi bizneset e vogla. Kësaj i thonë të sjellësh zjarrin në vatrën tënde. Në një kohë kur të tjerët ulin taksat për të shpëtuar bizneset, qeveritarët vendorë shqiptarë kanë gjetur mekanizmin e rritjes. Brenda 10 ditëve, Parlamenti do të ndërhyjë pa diskutim dhe do t’ua vendosë “kufirin tek thana””, tha Berisha.

Topalli: Rama nuk falënderoi për NATO-n

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli në turin e saj disa ditor, gjatë takimit në Lezhë, nën moton “NATO, ne mbajtëm premtimin” ka sulmuar ashpër kreun e PS-së, Edi Rama për mos vlerësimin në mënyrë publike të votimit më të fundit të Kuvendit të paketës së anëtarësimit në aleancën më të madhe ushtarake. “Në emër të politikës së re Edvin Rama kërkon të bëjë pis anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe procesin e ardhshëm elektoral. Por ne kemi marrë të gjitha masat, që ky të jetë procesi i zgjedhjeve të lira të ndershme dhe me infrastrukturën më moderne, që Shqipëria ka bërë. Korrupsioni më i madh politik i kryetarit socialist është mos përshëndetja e miratimit në Kuvendin e Shqipërisë të paketës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”, tha kryeparlamentarja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›