E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarkozi: “Franca mbështet integrimin e Shqipërisë në BE”

“Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së dhe për këtë nuk ka kthim mbrapa”. Presidenti francez premton se do të vizitojë së shpejti Shqipërinë

Eljona Ballhysa
Presidenti francez, Nikola Sarkozi, ka mbështetur dje gjatë takimit me kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, integrimin e Shqipërisë në BE dhe aplikimin e vendit tonë për statusin e vendit kandidat. Dje pasdite, presidenti Sarkozi ka pritur në pallatin “Elize” në Paris kryeministrin e Shqipërisë, të cilit i ka shprehur të gjithë mbështetjen e Francës për procesin integrues në BE. Gjatë takimit me Berishën presidenti Sarkozi u shpreh se “së shpejti do të vizitoj vendin tuaj të mrekullueshëm dhe do të shoh nga afër ndryshimet e mëdha të Shqipërisë”. Ndërsa kryeministri Berisha e ka vlerësuar si historike vizitën e Sarkozisë në Shqipëri, e cila do të shënojë vizitën e presidentit të parë francez në vendin tonë.
Takimi
Presidenti Sarkozi, pasi i uroi mirëseardhjen kryeministrit Berisha, e falënderoi që iu përgjigj ftesës së tij për të vizituar Elizenë dhe i uroi mirëseardhjen në Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke i shprehur mirënjohjen dhe falënderimin për pjesëmarrjen e Shqipërisë me forcat e saj përkrah NATO-s në operacionet e saj, si dhe përkrah forcave të Kombeve të Bashkuara në Çad. Kryeministri Berisha, pasi e falënderoi presidentin Sarkozi për pritjen dhe takimin e ngrohtë e miqësor, u shpreh se takimi mes tyre është një hap i rëndësishëm historik në marrëdhëniet mes dy vendeve. Presidenti Sarkozi i shprehu kryeministrit Berisha mbështetjen e fuqishme të Francës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Shqipëria, në mënyrë të qartë, do të jetë anëtare e BE-së dhe nuk ka kthim mbrapa në procesin e integrimit të saj në BE. Franca e mbështet kandidaturën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE”, - është shprehur Sarkozi.
Kryeministri Berisha e falënderoi presidentin francez për mbështetjen e qartë që i jep integrimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar faktin se 96 për qind e shqiptarëve e mbështet integrimin në BE dhe kjo bën që ky proces të jetë i vazhdueshëm dhe i pakthyeshëm. Nga ana e tij, presidenti Sarkozi u shpreh se të gjitha këto arritje të Shqipërisë janë plotësisht të merituara, pasi asnjë vend tjetër si Shqipëria nuk ka vuajtur nga një diktaturë aq mizore. “Franca mbështet të gjitha proceset e zhvillimit dhe modernizimit të Shqipërisë”, - është shprehur presidenti francez.
Bashkëpunimi
Bashkëbisedimi midis dy politikanëve me tej është përqendruar në fushën e investimeve, ku kryeministri Berisha ka garantuar mbështetjen e investitorëve francezë në Shqipëri. “Investimet e kompanive franceze, me mbështetjen edhe të qeverisë shqiptare, do të jenë një histori suksesi në Shqipëri. Ne jemi një vend i vogël, por me potenciale shumë të mëdha në energjetikë, në minerale, turizëm, kemi një krah pune ndër më të favorshmit në Europë”, - është shprehur Berisha. Ndërsa presidenti Sarkozi ka shprehur falënderimet për mbështetjen që qeveria shqiptare i jep biznesit francez. Ai u shpreh se qeveria franceze do të punojë dorë më dorë me qeverinë shqiptare dhe se ajo do të ketë gjithmonë ndihmën dhe mbështetje.
Kryeministri Berisha e falënderoi presidentin Sarkozi për mbështetjen që ai personalisht, qeveria dhe populli francez i kanë dhënë Shqipërisë për realizimin e ëndrrës për të qenë anëtar i NATO-s, një ëndërr që u bë realitet. “Shqipëria është një vend që ka vuajtur shumë nga mungesa e sigurisë ndër vite. Duke dalë nga një diktaturë e egër, është një nga vendet që e ka vuajtur më shumë mungesën e sigurisë, ndaj anëtarësimi në NATO bën që Shqipëria të ndërtojë lirinë dhe demokracinë e saj, duke u ndjerë edhe më e sigurt. Ky është një inkurajim i ri për të vazhduar thellimin e reformave dhe ju siguroj për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vazhduar në këtë rrugë”, - është shprehur Berisha.
Në kuadër të thellimit të reforma, Berisha theksoi se qeveria do të vazhdojë të luftojë me vendosmëri kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Duke u ndalur në zgjedhjet parlamentare të qershorit, kryeministri Berisha tha se qeveria që ai kryeson do të bëjë të gjithë hapat e nevojshëm që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme. “Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është edhe pajisja e shtetasve shqiptarë me letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike”, - është shprehur Berisha.

25 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›