E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Strasburgut vendos sërish në favor të ish-pronarëve

Shteti detyrohet të paguajë 49 mijë euro për Gjon Boçarin

Gjykata e Strasburgut merr sërish në mbrojtje pronarët e ligjshëm në Shqipëri. Kështu, Gjykata ka vendosur që shteti shqiptar të dëmshpërblejë ankimuesin “Gjon Boçari dhe të tjerë” në vlerën e 49 mijë eurove. Këshilli i Ministrave e ka miratuar dje këtë vendim dhe urdhëron Ministrinë e Financave që ta zbatojë këtë vendim brenda datës 20 qershor të këtij viti. Ankimuesi pretendoi në Gjykatën e Strasburgut se është shkelur e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, pasi sipas tij autoritetet shtetërore janë vonuar pa arsye në shqyrtimin e pretendimeve të tyre lidhur me pronën. Ankimuesi gjithashtu ka pretenduar se i është shkelur e drejta për të pasur mjete juridike pasi ata nuk kanë mundur të ankohen për zvarritje të procesit përpara autoriteteve vendase. Ata kanë pretenduar se i është shkelur e drejta e pronës, pasi vendimi i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, i cili u njihte të drejtën e pronës, nuk ishte ekzekutuar. Ankimuesi Gjon Boçari pretendoi që në këmbim të dëmit një dëmshpërblim me vlerën e 2 742 774 eurove dëmshpërblim material dhe 52 000 euro dëmshpërblim moral. Në vendimin e saj Gjykata Europiane për të drejtat e Njeriut kërkoi që shteti shqiptar të përmirësojë procedurat e brendshme me qëllim që t’u ofrojnë qytetarëve mjete juridike efektive për realizimin e të drejtave të tyre. Gjykata vendosi për shkeljet e konstatuara që shteti shqiptar të dëmshpërblejë ankuesit me vlerën e 7 000 eurove secilin nga trashëgimtarët e pronës. Moszbatimi në kohë i një vendimi të Komisionit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave tashmë do t’i kushtojë shtetit shqiptar jo pak, por 49 mijë euro, të cilat do të përballohen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Gjykata e Strasburgut ka vendosur gjithmonë në favor të ish-pronarëve shqiptarë, të cilët janë ankimuar në këtë gjykatë për të fituar një ndër të drejtat themelore siç është e drejta e pronësisë. Vendimet e Gjykatës së Strasburgut, të cilat korrigjojnë ligjet e shtetit shqiptar, rëndojnë mbi buxhetin e taksapaguesve shqiptarë. Rasti i Gjon Boçarit vjen pas disa rasteve të tjera, siç është rasti i Qufaj e CO kundër Shqipërisë, Beshiri dhe CO kundër Shqipërisë dhe Bajrami kundër Shqipërisë. Të gjithë ish-pronarët të cilët i janë drejtuar Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për çështje që lidhen me të drejtën e pronësisë, kanë fituar të drejtën e dëmshpërblimit nga qeveria shqiptare.

5 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›