E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Tiranës, “arrest me burg” për Hanëme Shandorin



TIRANË - Gjykata e Faktit të Tiranës ka caktuar të shtunën masën e sigurisë “arrest me burg” për 52 - vjeçaren nga Tirana, Hanëme Shandori. Akuza e formuluar prej prokurorëve “mashtrim më shumë se një herë” ka ardhur si rezultat i një periudhe hetimore paraprake nga antikrimi ekonomiko - financiar i Policisë së Tiranës, seksion pranë të cilit janë depozituar kallëzimet në adresë të kësaj shtetaseje. Ndërkohë, gjyqtarja Frida Osmani ka parë të arsyeshëm relacionin e prokurorit të çështjes dhe ka vendosur që Hanëme Shandori të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Shandori u arrestua të mërkurën për veprën penale të “mashtrimit më shumë se një herë”, pasi akuzohej për mashtrimin e disa personave, duke iu premtuar viza për të udhëtuar jashtë shtetit, vende pune apo lehtësira për marrjen e kredive, kundrejt shumave të konsiderueshme të parave. Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e banesës së saj, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale praktikat e rreth 23 qytetarëve të ndryshëm.

25 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›