Ministria: Procedura për ekstradimin e Bogdanit nga Anglia, e suksesshme
TIRANË - Ministria e Drejtësisë e ka konsideruar dje sukses të Drejtësisë shqiptare procedurën gjyqësore të ndjekur për ekstradimin nga Anglia në Shqipëri të një të dënuari me 13 vjet burg për “trafik të lëndëve narkotike e mbetur në tentativë”. Bëhet fjalë për ekstradimin para dy ditësh të shtetasit Armand Bogdani, i dënuar me 13 vjet burg nga Gjykata e Rrethit Gjirokastër në vitin 2004 për veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike në tentativë” dhe “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”, vendim i lënë më pas në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit. Në një njoftim për shtyp, Ministria e Drejtësisë deklaroi se, Drejtësia shqiptare ka fituar një sfidë të rëndësishme në Gjykatën e Lartë britanike “Royal Court of Justice” në Londër, duke arritur rrëzimin e apelit të ngritur nga Armand Bogdani, që kërkonte të bllokonte ekstradimin për në Shqipëri, bazuar në dy raste të tjera shqiptare të ngjashme. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, vijon deklarata, përgatiti mbrojtjen në emër të qeverisë shqiptare, duke dhënë garancitë e nevojshme mbi ekzistencën e të gjitha mjeteve procedurale ligjore në Shqipëri për rihapjen e një procesi të rregullt, duke thyer kështu praktikën deri në këto momente me Mbretërinë e Bashkuar. “Ky rast krijon precedent, duke u hapur rrugën kështu ekstradimeve të ardhshme që mund të kërkohen nga Shqipëria dhe është tregues dhe i besimit të këtyre autoriteteve ndaj Drejtësisë shqiptare. Rasti në fjalë dëshmon për zbatimin me efektivitet të motos së qeverisë shqiptare ‘zero tolerancë ndaj krimit’, nëpërmjet dhënies së drejtësisë për ndëshkimin dhe vuajtjen e dënimit të kujtdo shkelësi të ligjit dhe kudo ku ai gjendet”, - përfundon deklarata e kësaj ministrie.
Shtetasi Armand Bogdani, i dënuar me 13 vjet burgim, u ekstradua nga Interpol Tirana në bashkëpunim me autoritetet policore britanike pas një procedure ekstradimi të suksesshme nga Ministra e Drejtësisë.
25 Gusht 2008