E Diel, 1 Nëntor 2026

Si po ma grabisin pensionin Sigurimet prej 9 vitesh

Një pensionist u shkruan krerëve më të lartë të shtetit shqiptar për abuzimet me pensionin

Letër e hapur

Drejtuar Kryetarit të Shtetit
Zotit Bamir Topi

Kryetares së Kuvendit
Zonjës Jozefina Topalli

Zotit Sali Berisha
Kryeministër

Tiranë, shkurt 2009

Jam Hasan L. Sinoimeri, i datëlindjes 05.12.1938, pensionist, me librezë nr. 120878. Jam banor i qytetit të Tiranës që nga viti 1943. Kam paguar kontributet mujore për sigurimet shoqërore për 38 vjet, vjetërsi pune 42 vjet. Kam dalë në pension më 01.05.2000, në moshën 61 vjeç e 5 muaj.

A - Caktimi arbitrar i masës fillestare të pensionit të plotë

Më datë 04.04.2000 dorëzova pranë DRSSH-së Tiranë dokumentacionin, konform rregullave, për të më lidhur pension të plotë të pleqërisë. Më caktuan pension në masën 8.800 lekë! Kundërshtova duke kërkuar zbatimin e ligjit. Përgjigjja ishte: “Ne japim atë që është më e vogël, pasi bëjmë llogaritjet me tri formula. Ju keni pasur pagë të lartë dhe nuk mund të japim pension në masën 75%”!
Përsëri kundërshtova, duke vënë në dukje se legjislacioni nuk e ka këtë kufizim.
Dikush aty më sqaroi në konfidencë se ka një urdhër të brendshëm “sekret”, sipas të cilit, nuk u jepet 75% të gjithëve atyre që u takon, ka diferencime. Koha vërtetoi këtë informacion privat në konfidencë. ISSH-ja arriti të shtojë në fund të Nenit 32 frazën “Cila të jetë më e vogël”. Kështu, pas 10 vjetësh, ISSH-ja ligjëron shkeljen e Ligjit Nr. 7703 dhe VKM Nr. 290. Faji për këtë shtesë në fund të Nenit Nr.32 është i pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, pasi pensioni është i paragjykuar dhe i lënë dorë të lirë ISSH-së në caktimin e masës së pensionit!
ISSH-ja duhet ta ketë të qartë se pensioni i plotë i pleqërisë është detyrim që ka shteti ndaj moshës së tretë; nuk është ndihmë ekonomike apo asistencë sociale. Për këtë, mbështetem në Ligjin Nr. 7703, dt.11.05.1993.
Neni 15; – Kam paguar kontributet e sigurimeve shoqërore, çdo muaj, për 38 vjet, kur ligji kërkon 35 vjet; Neni 91-2 – kam vjetërsi pune gjithsej 42 vjet; Neni 31-1, - kam dalë në pension në moshën 61 vjeç e 5 muaj, kur ligji kërkonte 60 vjeç; Neni 32-4, – duke plotësuar kushtet e mësipërme, më jepet e drejta e 75 përqindëshit, edhe sipas VKM Nr. 290 që heq kufizimin për pension maksimal.
Në kuptimin ekonomik pensioni i pleqërisë konsiderohet si pronë private e fituar me ligj (Neni 163 – Kodi Civil), askush nuk mund të shpronësohet ose t’i kufizohet e drejta... e pronës (Neni 153 – Kodi Civil).
Duke qenë se i plotësoja kushtet, sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi, kur dola në pension të plotë pleqërie (maj 2000), kërkoj të më jepet 75% e pagës neto mesatare të 3 viteve rresht të 10 viteve të fundit të punës së siguruar dhe në zbatim të VKM Nr.290, Dt. 10.06.1999, pika 2, që heq kufizimin për pension maksimal.
Duke qenë se e drejta e pensionit nuk parashkruhet dhe se shteti është i detyruar të më mbrojë të drejtat e mia (sa kemi cituar më sipër), kërkoj të detyrohen ISSH dhe DRSSH Tiranë, të zbatojnë legjislacionin për pensionet.

B- Moszbatimi i Ligjit Nr. 9377, dt. 21.04.2005

Me daljen e ligjit të mësipërm, ndryshohet Neni Nr. 33 i Ligjit Nr. 7703 Dt. 11.05.1993, ku thuhet shprehimisht: “I siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension të plotë pleqërie sipas nenit 31 të këtij ligji, merr shtesë në masën 0,34% të pensionit për çdo muaj të punës mbi moshën e pensionit”.
Këtu është shumë e qartë, nga 01.05.2000 deri më 01.06.2005 jam paguar me 4% të pensionit për 1 vit (12 muaj). Ndërsa pas hyrjes në fuqi të ligjit në fjalë, duhet të paguhem me 0,34% për çdo muaj të punuar mbi moshën e pensionit. Praktikisht koeficienti bëhet:
17 muaj X 0,34% muaj = 5,78% e pensionit;
kur e drejta e pensionit më ka lindur në vitin 1998.
Kam paraqitur kërkesën pranë ISSH-së dhe DRSSH-së disa herë dhe më kanë thënë që nuk më takon?!!! (shih faksimilen e përgjigjes, dt.15.09.2008). Është e pakuptimtë se çfarë bëjnë me pensionin e akorduar fillimisht dhe vazhdojnë me çudira mbi ligjin në fjalë?!
Nga ana ime i sqarova se madhësia e koeficientit nuk varet nga madhësia e pensionit bazë, por jepet si shifër relative/empirike nga ligji, duke u shumëzuar me muajt e kohës së punës, del koeficienti përfundimtar që do të aplikohet mbi pensionin bazë, për të nxjerrë shtesën absolute.

C – Interpretimi dhe zbatimi i gabuar i ligjit dhe VKM-së

Me daljen e ligjit dhe vendimit të mësipërm, ISSH-së dhe DRSSH-së Tiranë iu krijua mundësia për të korrigjuar “gabimet” që pasqyrova më sipër në germat A e B.
Por ndodhi e kundërta. Paraqita përsëri një kërkesë, fillimisht pranë DRSSH dhe më pas të përsëritur pranë ISSH Tiranë. Inspektorët specialistë të DRSSH Tiranë e interpretojnë në mënyrë të gabuar Ligjin Nr.9588 dhe VKM 590, duke indeksuar masën e pensionit që më kanë akorduar në maj 2000?! Më keq akoma, përdorin koeficiente të tjera nga ato të VKM Nr. 400, dt. 21.06.2006 që thotë VKM Nr.590, dt.31.08.2006?! Koeficientet e përdorura nuk gjenden në asnjë akt ligjor??!!
Rillogaritja duhet të bëhet duke indeksuar pagat (që i kanë në dosjen personale nr. 120878) neto, me koeficientet e përcaktuara në VKM nr. 400 dt.21.06.2006 për llogaritjen fillestare të pensionit. Masa e re e pensionit (e rillogaritur) sipas VKM nr.590, rritet radhazi sipas përqindjeve të rritjes së pensioneve të përcaktuar në vendimet e KM për rritjen e pensioneve. Masa e pensionit, që rezulton pas llogaritjes dhe zbatimit të rritjeve, është masa përfundimtare e pensionit individual.
Nga rillogaritja, pensioni fillestar më del 9,655 lekë dhe më 01.07.2006 shkon në 16,997 lekë, dhe jo si e nxjerrin inspektorët 15,492 lekë, 1,505 më pak. Në fund iu kërkova të më akordonin më 01.07.2006 pensionin 16,480 lekë.
Ligji dhe VKM thonë: “Rillogaritje të pensionit dhe jo indeksim të pensionit”. Po të pranojmë logjikën, sipas DRSSH për indeksim të pensionit me koeficientet e VKM nr. 400 dt.21.06.2006, pensioni nuk del 15492 lekë, por 23775 lekë. Kjo është krejtësisht metodikë e gabuar. Duke bërë rillogaritjet sipas dispozitave, del pensioni 16997 lekë. Si duket nuk e kuptojnë rillogaritjen?
Së fundi, DRSSH më njofton që pensioni pas rillogaritjes më del 8,012 lekë, dt.28.08.2008, dhe kjo është një çudi tjetër e tyre! Për këtë arsye nuk do të akordojmë edhe 0,34% në muaj shtesë?! Kjo është akoma më e habitshme!
Sa herë ndryshojnë inspektorët në DRSSH, që merren me një problem, aq herë ndryshon edhe interpretimi - por ligji apo akti nënligjor nuk varet nga persona të caktuar, ai është i dhënë e duhet zbatuar ashtu siç është shkruar dhe nxjerrë nga organet kompetente.

Përfundime

Të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore që cituam më sipër, të nxjerrë respektivisht nga Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave, janë në mbrojtjen ekonomike të moshës së tretë (pensionistëve). Por ISSH dhe DRSSH nuk i zbatojnë?!
Strukturat e sigurimeve shoqërore vuajnë nga kompleksi “për të dhënë sa më pak apo hiç fare” – kur ligji i përcakton saktë gjërat. Gabimet e përsëritura janë faje të ISSH-së dhe DRSSH-së. Gabimet/fajet e tyre i mbulon balta, pasi mosha e tretë është jetëshkurtër – kjo është një gjë e ditur. Praktikisht nuk u gjet asnjë shkelje e tyre? Strukturat e sigurimeve shoqërore e kanë të detyrueshme mbrojtjen dhe informacionin (nenet 61, 62/1) e pensionistëve. Ndodh e kundërta në fakt! Pse duhet të paguajë pensionisti paaftësinë e tyre?!
Unë nuk pres më zgjidhje nga ISSH dhe DRSSH Tiranë. Këta zotërinj ta kenë të qartë se mbi ligjin nuk del askush. Dhe në qoftë se nxjerrin akte nënligjore, të kujtdo qofshin ato, por që dalin jashtë kuadrit apo në kundërshtim me ligjin, janë të pavlefshme, zbatimi i tyre është i dëmshëm.
Duke lënë mënjanë shqetësimet, streset, sorollatjet, ecejaket e vazhdueshme, shpenzimet e kancelarive, postave, telegrafike dhe telefonike, më kanë shkaktuar një dëm ekonomik (monetar) 634 mijë lekë, për periudhën 01.05.2000 deri më 31.01.2009 (105 muaj). Vetëm për të bindur DRSSH Tiranë që koeficienti për punën mbi moshën 1 vit – 4% ndryshon në madhësi absolute në varësi të ndryshimit të pensionit bazë sa herë qeveria bën shtesa, kjo kërkoi një kohë nga korriku i vitit 2000 deri në tetor të vitit 2003, plot 40 muaj!
Po të zbatohej Ligji nr.7703 dt. 11.05.1993 dhe VKM nr. 290 dt. 10.06.1999, sot do të kisha pensionin e plotë të pleqërisë, që nga 01.07.2008, në masën 25,552 lekë, plus shtesën për punë mbi moshën (koeficienti 5,78%) 1,477 lekë, në total 27,029 lekë.
Po të zbatohej Ligji nr.9588 dt.25.07.2006 dhe vendimet e qeverisë nr. 590 dt. 31.08.2006, nr. 400 dt. 21.06.2006, sot do të kisha pensionin, nga data 01.07.2006, 16,977 lekë, plus (koeficientin 5,78%) 982 lekë, në total 17979 lekë, dhe më 01.07.2008, 20,766 lekë.
Kërkesa ndaj shtetit
Kërkoj që të më njihet e drejta ligjore:
1- Zbatimi i Ligjit nr. 9377, dt.21.04.2005 që nga data e hyrjes në fuqi, maj 2005, pasi e kam kërkuar që më 09.07 2007, për koeficientin 0,34% X 17 muaj = 5,78%, pasi e drejta e pensionit më ka lindur më 05.12.1998.
2- Zbatimi i Ligjit nr. 9588, dt.25.07.2006, vendimet e qeverisë nr. 400 dt. 21.06.2006 dhe nr. 590 dt. 31.08.2006, që nga data 01.07.2006, duke qenë se kam paraqitur kërkesën fillestare më 21.12.2006. Për pikat 1,2 të sipërme mbështetem në ligjin nr. 7961 dt. 12.07.1995, kreu XIX – neni 203-1 i cili thotë që afati i parashkrimit është 3 vjet që nga data e paraqitjes së kërkesës. Shpresoj se ka ardhur koha për të zbatuar ligjet dhe vendimet e qeverisë. Në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pjesa e Pestë, neni 102-1, germa “c”, “Kryeministri siguron zbatimin e legjislacionit”

Me respekt
Hasan L. Sinoimeri

Shënim: Redaksia mendoi ta publikojë këtë letër publike të pensionistit drejtuar krerëve më të lartë të shtetit, pasi janë të shumta rastet kur të moshuarit ankohen për skemat subjektive që përdoren për shumën që përfitojnë personat që dalin në pension. Gazeta mirëpret dhe është e hapur për të publikuar reagimet apo informacionet e institucioneve të akuzuara nga shtetasi Hasan Sinoimeri

20 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›