Konfindustria: Biznesi shqiptar nuk është në krizë
Intervistë/ Flet presidenti i Konfindustrisë Shqiptare, Hajredin Fratari
Ka edhe nga ata sipërmarrës shqiptarë që mendojnë se kriza nuk ekziston dhe se efektet e saj në tregun e brendshëm janë të pandjeshme. Kështu shprehet presidenti i Konfindustrisë, Hajredin Fratari, në forumin e gazetës “Albania” : “Kriza, sa të rrezikuar jemi”. Ai thotë se kriza e tregut imobiliar nuk e ka përfshirë Shqipërinë dhe se alarmet për falimentim të bizneseve të ndërtimit nuk janë asgjë tjetër veçse krizë e procesit të hipotekimit të apartamenteve. Kjo ka sjellë vështirësi të mëdha. Sipas tij, edhe klima e investimeve të huaja në Shqipëri është shumë e favorshme. Teksa ndalet te problemet që shfaqen në sektorin e industrisë minerare, ai pohon se kjo lidhet me konjukturat e metaleve në tregjet ndërkombëtare. Fratari, i cili ushtron aktivitetin në fushën e ndërtimit, është ndër të rrallët sipërmarrës që nuk e konsideron krizën financiare dhe ekonomike botërore si një rrezik për tregun shqiptar, në ndryshim nga shumë biznesmenë apo ekspertë të ekonomisë.
Z. Fratari. Pjesa më e madhe e tregjeve botërore po përballen me një krizë financiare dhe ekonomike. Si ndihet kjo në tregun shqiptar dhe veçanërisht te komuniteti i biznesit?
Anëtarët e Konfindustrisë deri tani nuk po e ndiejnë krizën financiare. Deri tani nuk ka krizë në vend. Bankat janë shumë të shëndosha financiarisht. Kriza e tregut imobiliar, që përfshiu Spanjën, Amerikën, etj., nuk ka depërtuar në vendin tonë. Pra, unë e shoh më shumë krizën si një zë që vjen nga mjetet e komunikimit.
Por, Shoqata e Ndërtuesve ka kohë që po jep alarmin për falimentim të firmave…
Kriza nuk është në çështjen e blerjes. Siç e shoh unë, kriza është në çështjen e hipotekimit të apartamenteve. Shoqata e Ndërtuesve, si dhe të tjerët, duhet t’i mëshojnë shumë çështjes për të bërë hipotekimin e banesave. Tashmë, ka ndryshuar mentaliteti i biznesit në këtë sektor. Dikur, ndërtuesit shqiptarë i shisnin apartamentet pa nisur ende ndërtimi i objektit. Mentaliteti i shqiptarëve ka ndryshuar gjithashtu. Ata nuk blejnë më banesa që në letër, por kërkojnë që të mbarohet, të hipotekohet dhe më pas të paguajnë paratë për pronën që do të marrin.
Kriza që u ka ardhur shumicës së ndërtuesve ka të bëjë me faktin se ata nuk kanë dërguar për hipotekim apartamentet e tyre. Po ashtu, një pjesë i kanë objektet e tyre në periferi të kryeqytetit, shumë larg, aty ku nuk ka infrastrukturë dhe kërkesa ka qenë shumë e ulët.
Shoqata duhet të ushtrojë presion te Bashkia për të marrë leje ndërtimi edhe brenda zonës së preferueshme në kryeqytet. Edhe në këtë periudhë, çmimet në këto zona janë 2 apo 3-fishuar, ndonëse thuhet se ka mungesë parash në qarkullim. Pra, kjo nuk lidhet me krizën, por se realisht janë 800 firma pa punë për shkak të mosdhënies së lejeve.
A po e ndiejnë anëtarët e Konfindustrisë hezitimin e bankave të nivelit të dytë për të dhënë kredi?
Unë po citoj deklaratën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani: Bankat nuk duhet të japin kredi në shuma të konsiderueshme, pa pasur kolateral. Nëse do të japësh kredi me kolateral, gjithçka do të jetë e sigurt, qoftë për bankën, qoftë për subjektet që marrin kredi. Kjo lidhet me një arsye: nëse sot e blen një banesë me kolateral që kushton 500 euro m2., pas disa vitesh vlera e saj do të dyfishohet. Tashmë, edhe Shqipëria po futet në tregun rajonal dhe europian të pronave të patundshme. Pra, do të ketë një lëvizje graduale drejt unifikimit të çmimeve si në Tiranë, edhe në Shkup, Zagreb, Sofje, Podgoricë apo edhe Prishtinë.
Ekspertët pohojnë se industria minerare dhe sektori fason janë më të prekurit nga kriza ekonomike dhe financiare globale. Si e shihni një gjë të tillë?
Në kontaktet që kemi ne me investitorët e huaj konstatojmë se jemi në një situatë shumë të mirë për tërheqjen e investimeve të huaja në vendin tonë. Investitorë të shumtë janë larguar nga disa vende të rajonit, si Rumania, Bullgaria, etj., pasi kanë hyrë në BE dhe janë rritur çmimet. Për mendimin tim, fasionistët nuk po punojnë siç duhet për gjetjen e partnerëve apo investitorëve seriozë. Disa nga fasonët kanë ardhur në Shqipëri, jo në marrëdhënie direkte, por dorë pas dore. Sa për mineralet, ato janë të kuotuar në bursë. Për mendimin tim, qeveria duhet të punojë shumë, sidomos në dhënien e lejeve të shfrytëzimit. Është fatkeqësi që industria e nxjerrjes së bakrit, në disa raste, të kthen 2000 vjet përpara. Industria e prapambetur po bëhet shkas për të marrë jetën e dhjetëra njerëzve që po vdesin aksidentalisht nëpër galeri. Minierat duhet t’u jepen me koncesion kompanive serioze.
Tani le të ndalemi te çmimet në bursën ndërkombëtare. Nëse kromi vjet ishte dyfish i lartë, edhe nafta ishte katërfish. Nëse atëherë kishte një fitim 2-3 herë të lartë për kompanitë, sot ai është reduktuar në 15 apo 20%. Mendoj se firmat shqiptare duhet të mësohen edhe me një normë të tillë fitimi, ashtu siç ndodh në të gjithë botën.
Si e vlerësoni barrën fiskale që ka biznesi dhe a është e nevojshme që të ulet në këtë periudhë krize?
Unë mund të them një gjë: Me këtë sistem taksash që është vendosur, pra për biznesin e madh, pasi aty jam i përfshirë në aktivitetin tim, barra fiskale është shumë e favorshme pas aplikimit të taksës së sheshtë. Pati një ulje shumë të madhe edhe për taksat e sigurimeve shoqërore. Aktualisht, ne jemi ndër vendet me taksat më të ulëta në Europë. Defekti që ka qenë deri tani ka qenë mungesa e energjisë elektrike. Por, me masat e marra nga qeveria, energjia elektrike është e pandërprerë. Në muajin qershor fillon punën edhe TEC-i i Vlorës, ndërsa majin e vitit tjetër edhe TEC-i i Enelit me kapacitet 800 megavat. Kështu që Shqipëria do të kthehet nga një vend që importon në një vend që eksporton energji.
20 Shkurt 2009