Aparatura të sofistikuara për parandalimin e trafiqeve ilegale
KUKËS - Kanë mbërritur dje në Doganën e Morinit aparatura të sofistikuara, të cilat realizojnë një kontroll të imtësishëm të mjeteve në çdo orë të ditës dhe natës, duke bërë të pamundur kalimin ilegal të drogës, armëve, lëndëve radioaktive e të çdo lloj trafiku tjetër ilegal. Dogana kryesore, që lidh Shqipërinë me Republikën e Kosovës, ka krijuar kështu një barrierë të fuqishme për abuzuesit dhe trafikantët. Aparaturat e ardhura me një vlerë prej 48 mijë eurosh janë dhuratë e Departamentit Amerikan të Shtetit, në kuadër të ndihmës për luftë më efikase ndaj trafikut ilegal. Sipas burimeve të sigurta, pozitiv është fakti se ato mundësojnë një kontroll efikas edhe gjatë orëve të natës. Duke qenë aparatura mjaft të sofistikuara, për vënien në funksionim të tyre janë dërguar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave persona për t’u trajnuar për përdorimin e tyre. Vetëm pas trajnimit të personave që do t’i përdorin ato, do të mundësohet vënia e tyre në punë me efektivitet. Dogana e Morinit është dogana kryesore në kufirin e Shqipërisë me Kosovën, përmes së cilës kryhet mbi 95 për qind e lëvizjes së mallrave nga të dy vendet. Modernizimi i kontrollit doganor, pas atij të policisë kufitare, krijon kushte të përshtatshme për parandalimin e çdo lloj trafiku në kufirin mes dy vendeve. Kështu, vetëm gjatë vitit të kaluar nga forcat e policisë kufitare të kësaj dogane u ndaluan në përpjekje për të hyrë në Shqipëri apo anasjellas mbi 30 persona të kërkuar, ndërsa gjatë këtyre dy muajve të parë të këtij viti edhe 6 persona të tjerë.
Reagojnë familjarët e Eva Vishajt: “Në vrasje, të përfshirë edhe të tjerë”
Tiranë – Familjarët e Eva Vishajt hedhin dyshimin se në vrasjen e saj janë të përfshirë edhe persona të tjerë. Pas ekstradimit të Albenc Agos, i akuzuar për vrasjen e Vishajt, nënës së këngëtares Elsa Lila, është rihapur plaga e familjarëve të saj. Familjarët e viktimës kishin vite që akuzonin Albenc Agon si autor të krimit, ndërsa ai u shpall fajtor në mungesë dhe u dënua me 20 vite burg, pas rihapjeve të hetimeve gati 8 vite më vonë. Por edhe pse autori i kësaj vrasjeje u zbulua, kjo ngjarje ka mbetur pa motiv. Si në fazën e hetimit, ashtu dhe gjatë gjykimit, nuk doli një motiv zyrtar i këtij ekzekutimi. Ky mister i shton dyshimet e familjarëve se në këtë vrasje mund të jenë implikuar edhe persona të tjerë prandaj i kërkojnë drejtësisë t’i shkojë deri në fund zbardhjes së të vërtetës.
Kaluan mallra kontrabandë, ndalohen tre punonjës të Doganës së Tushemishtit
POGRADEC - Tre punonjës të Doganës së Tushemishtit, Pogradec, janë arrestuar në orët e para të ditës së djeshme, pasi akuzohen për “favorizim të kontrabandës”. Burime zyrtare të policisë rajonale të Korçës bënë të ditur për gazetën se janë arrestuar shtetasit Ardian Mëhilli me detyrë doganier, Genci Tanellari me detyrë oficer i policisë kufitare, si dhe Mentor Killo, punonjës policie, të tre me detyrë në këtë pikë doganore. Ndërkaq, nga ana e policisë është arrestuar edhe drejtuesi i një mjeti tip “furgon”, shtetasi Ndriçim Alla, i cili ka futur mallra kontrabandë nga Maqedonia. Policia tha se tre punonjësit e doganës që kanë shërbyer në një turn kanë shkelur rregullat e shërbimit duke lejuar të kalojë një mjet furgon me afro 5 tonë fruta-perime, në një kohë që zhdoganimet kryhen vetëm në Doganën e Qafë-Thanës në Pogradec dhe është ndaluar kalimi i mallrave nëpërmjet Tushemishtit. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Policisë në Komisariatin e Pogradecit ka kryer arrestimin e tre punonjësve të doganës, ndërkaq kanë nisur hetimet për të zbardhur arsyet e favorizimit të kontrabandës për qëllime fitimi.
13 Mars 2008