Gjykata e Vlorës: Përfaqësuesi i LSI në krye të Këshillit Bashkiak
VLORE - Gjykata e Vlorës e ka shpallur të jashtëligjshëm shkarkimin e kreut të Këshillit Bashkiak Arben Sinani, që i përket forcës së LSI-së. Sinani u shkarkua me 23 votat e të majtëve më 24 shtator, pasi kjo forcë politike iu bashkua të djathtëve. Pa praninë e këtyre të fundit, madje as të vetë Sinanit, këshilltarët socialistë e shkarkuan atë duke bërë emërimin e kreut të ri të Këshillit Bashkiak, Kujtim Sulçe. Vendimin e Këshillit Bashkiak e konsideroi të paligjshëm edhe institucioni i prefekturës, i cili e çoi këtë vendim në gjykatë. Dje gjykata u shpreh se për shkarkimin e përfaqësuesit të LSI-së janë shkelur aktet administrative. Sipas gjykatës, personi i shkarkuar nuk është njoftuar më parë për këtë, si dhe nuk është shprehur qartë motivacioni. Në lidhje me zgjedhjen e kryetarit Kujtim Sulçe dhe drejtimin e seancës nga ai, gjyqtari Erarbër Madhi tha se janë shkelur procedurat ligjore. Sulçe u zgjodh në krye të këshillit, pasi koalicioni i djathtë u largua nga salla për shkak të debateve. Madhi argumentoi se kur nuk është prezenca e kryetarit dhe nënkryetarit, mbledhja drejtohet nga këshilltari më i moshuar, procedura që fillimisht janë ndjekur në këshill, por pastaj mbledhja ka vijuar nën drejtimin e Sulçes, pozicionimi i të cilit nuk përshkruhet në rregulloren e brendshme të këshillit. Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak pritet të ketë sërish debate për vendin e kreut të këshillit, ku me vendim gjykate duhet të rikthehet Arben Sinani. q.b