E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë për dritat në Yzberisht, banorët bllokojnë rrugën

 

TIRANE - Dhjetëra banorë të fshatit Yzberisht të Tiranës, kanë protestuar dje në rrugën që lidh autostradën me fshatin, për mungesën e dritave prej më shumë se 48 orësh. Ata janë mbledhur në një tubim paqësor, duke kërkuar shpjegim për mungesën e gjatë të energjisë elektrike. Burime nga policia thanë se janë njoftuar dje rreth orës 17:30 se disa banorë kishin bllokuar rrugën nga mbikalimi i kthesës së Kamzës, përgjatë rrugës dytësore që lidhet me Komunën e Kasharit, duke sjellë vështirësi në qarkullim. Vetëm pas disa minutash është mësuar se banorët po protestonin, pasi prej më shumë se 48 orësh nuk kishin  energji elektrike e gjithë zona ku ata banonin. Por sipas burimeve nga policia e kryeqytetit mësohet se ndërprerja e energjisë elektrike ka ardhur si rezultat i një defekti në stacionin elektrik që furnizon me drita lagjen Kombinat, Yzberishtin e deri në Vorë. Gjithashtu sipas të njëjtave burime mësohet se mungesa e dritave në këtë rast nuk ka pasur lidhje me mospagimin e energjisë, por si rezultat i defektit në stacionin elektrik. Në vendin ku zhvillohej protesta janë dërguar menjëherë forcat e policisë nga Drejtoria e Tiranës, për të mbajtur nën kontroll situatën dhe për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm. Vetëm disa orë pas tubimit, mësohet se në disa zona është rikthyer energjia elektrike dhe burimet shpjeguan se deri në mbrëmje i gjithë fshati do të jetë i ndriçuar, pasi pritej riparimi i defektit në stacionin elektrik. Gjithashtu policia shpjegoi se gjatë protestës nuk është shënuar asnjë incident, përveç paralizimit të qarkullimit të automjeteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›