Prokuroria mbyll dosjen “Pango”
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Tiranës pushon hetimet për dosjen penale të hapur ndaj ish-ministrit të Kulturës Ylli Pango. Procedimi penal i datës 5 mars 2009, i filluar kryesisht nga Prokuroria e Përgjithshme, është pushuar me vendim të Prokurorisë së Tiranës për mungesë të provave dhe elementëve të veprës penale. Vendimi është marrë nga grupi i hetimit në Prokurorinë e kryeqytetit në kapërcim të afatit të dytë hetimor të kësaj çështje. Pas regjistrimit penal, dosja u mbajt në Prokurorinë e Përgjithshme ku u krye sekuestrimi i pamjeve filmike të transmetuara nga emisioni “Fiks Fare”. Me përfundimin e veprimeve paraprake hetimore, Prokuroria kërkoi të marrë në pyetje vajzën që kishte hyrë në banesën e ish-ministrit në afërsi të Qytetit Studenti, por rezultoi se ajo ishte larguar jashtë vendit. Dosja mbeti pezull për disa muaj derisa në shtator 2009, përfundoi afati 6-mujor i hetimit. Ndërkohë ish-ministri Pango humbi mandatin e deputetit në mesin e shtatorit ndërsa prokuroria kreu dy veprime në këtë kohë. Kryeprokurorja Ina Rama firmosi zgjatjen e afatit të hetimit me tre muaj të tjerë, ndërsa dosja kaloi nga Prokuroria e Përgjithshme në prokurorinë e rrethit, për shkak se ish-ministri nuk gëzonte më imunitetin parlamentar që kishte penguar hetimin e çështjes.
Mbyllja e dosjes
Në shtator dosja penale u regjistrua në Prokurorinë e Tiranës, ku njësia Antikorrupsion vazhdoi hetimet. Veprimi kryesor që hetuesit kërkonin të realizonin ishte marrja në pyetje e vajzës, e cila nuk ishte e pranishme në Shqipëri. Sipas verifikimeve, fillimisht u dyshua se ajo ishte larguar drejt Greqisë por më pas hetuesit morën të dhëna që tregonin largimin e saj në Francë. Dëshmia e saj u kërkua për të sqaruar disa momente që kishin mbetur të paqarta nga videot e transmetuara, si dhe nga regjistrimet origjinale të cilat prokuroria i sekuestroi në studiot e emisionit “Fiks Fare”. Gjatë kësaj kohe u bënë publike edhe disa regjistrime filmike që tregonin parapërgatitjen e vajzës për skenat me ish-ministrin Ylli Pango. Burimet e prokurorisë nuk komentuan nëse këto materiale kanë hyrë në dosje. Megjithatë, zyrtarisht është pohuar se argumenti i pushimit të çështjes është se nuk ka elementë të veprës penale në veprimet e ish-ministrit ndërsa konstatohet një lloj simulimi nga vajza që ka hyrë në banesën e tij. Prokuroria shpjegon në vendimin e mbylljes së dosjes se në rastin konkret, ish-ministri nuk kishte të bënte me një qytetare që kërkoi punë në ministri, por me një vajzë e cila në disa momente ka simuluar bisedat dhe veprimet në takimet që ka pasur me ish-deputetin Ylli Pango.
Shkarkimi
Ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango, u shkarkua menjëherë nga detyra sapo regjistrimet filmike u shfaqën në emisionin investigativ. Ai megjithatë mbetej deputet i Kuvendit të Shqipërisë ndërsa prokuroria nuk i konsideroi provat të mjaftueshme për të kërkuar heqje imuniteti.
Dëshmitarja
Vajza e cila ishte protagoniste e regjistrimeve filmike me ish-ministrin Pango u konsiderua nga prokuroria si dëshmitarja kryesore e dosjes. Pasi u analizuan me hollësi pamjet filmike origjinale, të pamontuara, grupi i hetimit kërkoi praninë e vajzës me qëllim sqarimin e disa momenteve që mbeteshin të paqarta. Vajza nuk u paraqit pasi u largua jashtë vendit.
Pezullimi
Në Prokurorinë e Përgjithshme, si dhe në organin e akuzës në Tiranë, për një pjesë të mirë të afatit hetimor, Prokuroria ia delegoi dosjen policisë për veprimet e nevojshme hetimore, konkretisht gjetjen e vajzës. Në përfundim të afateve hetimore procedurale si dhe në rrethanat kur shtyrja e afatit nuk është e justifikuar në provat penale, dosja është vendosur të pushohet.