Vetëvarja në qeli, familja padi në prokurori policisë
Familjarët e Klodian Bushit, njeriut që humbi jetën në mjediset e paraburgimit në policinë e Durrësit kanë depozituar në Prokurori një kallëzim penal, në ngarkim të personelit të grupit të gatshëm që ishte atë mbrëmje në shërbim. “Nuk duam asgjë tjetër, por vetëm drejtësi për atë se çfarë ndodhi. Klodiani nuk ishte tip që vetëvritej. Kam mendimin se atë e kanë rrahur për vdekje në qeli. Për të zbardhur plotësisht ngjarjen e asaj pasditeje unë kërkoj hetimin e pavarur të Prokurorisë së Durrësit”, tha për gazetën bashkëshortja e tij Gjylferie Bushi, së cilës i duhet të kujdeset tashmë e vetme për fëmijën e vogël të mbetur jetime. Ajo, së bashku me motrën e të ndjerit, Enkelejda Elezi kanë trokitur në mëngjes në organin e akuzës, duke depozituar denoncimin, që synon zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ngjarja e ndodhur më 12 nëntor të këtij viti ka mobilizuar të gjithë familjarët e tij, të cilët i janë drejtuar veç Prokurorisë edhe institucionit të Avokatit të Popullit. Ky kallëzim penal është depozituar, por nuk dihet ende nëse ai do të regjistrohet apo jo si çështje, pasi do të jenë hetuesit e prokurorisë, ata të cilët do të përcaktojnë nëse ekzistojnë elementë të veprës penale të konsumuar nga uniformat blu apo jo. Në një raport të Avokatit të Popullit në fillim të muajit deklarohen emrat e punonjësve të policisë dhe prokurorisë që ishin atë natë që ndodhi ngjarja. Mes tyre dhe emri i Maringlen Muçajt, inspektorit të arrestuar si i implikuar në çështjen e Dritan Dajtit. Familjarët kërkojnë edhe pafajësinë e Klodian Bushit, pasi sipas tyre një herë ai ka bërë afro 60 ditë burg dhe më pas ka dalë i pafajshëm nga Gjykata. “Do t’i kërkojmë lekët e pafajësisë, pasi me to do të rrisim vajzën e vogël”, tha Gjylferia. Ata nuk janë dakord me cilësimin e veprave penale “si të rrezikshme”, që ka konsumuar Bushi, pasi shpeshherë sipas familjarëve, i detyruar nga papunësia ai vidhte sallam, djathë apo qumësht në dyqane, pasi i duheshin për të ushqyer të voglën. Sipas familjarëve, Klodian Bushi është gjetur i vdekur në qeli për shkak të dhunës policore në paraburgim, pretendim ky që bie ndesh me akt-ekspertimin mjeko-ligjor mbi trupin e pajetë të Klodian Bushit, i cili u krye me specialistë të Durrësit dhe Tiranës. Përmes një deklarimi të zëdhënëses të policisë në Qark, mjekët pas ekzaminimit në morg, kanë vërtetuar se i ndjeri nuk kishte në asnjë pjesë të trupit shenja dhune. “E vetmja shenjë që dallohet mbi trup është ajo e lënë nga rrobat që viktima, i kishte mbështjellë rreth qafës për t’u vetëflijuar”, tha zëdhënësja. Tashmë janë hetuesit e Prokurorisë ata të cilët do të thonë mbi këtë ngjarje fjalën e tyre.