E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humb gjyqin ish-n/kryetari i Komunitetit Mysliman

 

TIRANE - Saimir Rusheku, nënkryetari i shkarkuar nga Komuniteti Mysliman, humb gjyqin në procesin ku ai paditi institucionin duke kundërshtuar largimin e tij nga detyra. Gjyqtarja Teuta Hoxha vendosi dje rrëzimin e padisë së Rushekut, ngritur kundër KMSH-së pas shkarkimit nga posti i nënkryetarit në fillim të muajit tetor. Sipas gjyqtares së çështjes, padia e Rushekut ishte e pambështetur në prova dhe ligj, pasi sipas saj KMSH vepron si një organizatë joqeveritare dhe si i tillë ky institucion vendos në bazë të rregullave të veta. Burime nga procesi pohojnë se gjatë gjykimit ishte vërtetuar se KMSH, në rastin e Rushekut, e kishte shkelur statutin mbi të cilin funksionon, por për shkarkimin e tij nga detyra ishte vendosur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së. Pas seancës së djeshme, Rusheku pohoi se tashmë priste që të merrte nga gjykata vendimin e zbardhur të kësaj çështjeje dhe më pas do i drejtohej Gjykatës së Apelit të kryeqytetit ku priste të merrte drejtësinë. Konflikti mes Rushekut dhe KMSH-së filloi në fillim të muajit tetor, kur në mbledhjen e datës 9 tetor u vendos shkarkimi i tij nga posti i nënkryetarit të KMSH-së dhe transferimi në një detyrë më të ulët në Drejtorinë e Arsimit dhe Kulturës në këtë institucion. Pas kësaj, Rusheku iu drejtua gjykatës duke kërkuar konstatimin absolutisht të pavlefshëm të vendimit të Kryesisë së KMSH-së, si akt në kapërcim të kufijve të kompetencave statusore, si dhe rregullimin e pasojave juridike që mund të kenë ardhur nga zbatimi i këtij akti dhe kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme.                        fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›