E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuniteti i dhunuar dhe përbuzur prej vitesh i kthen reston kryebashkiakut

Romët refuzojnë takimin me Ramën, pjesëmarrja e ulët, shkak i dështimit

Politika e re e kryesocialistit refuzohet edhe nga segmenti më i margjinalizuar i shoqërisë shqiptare. Komuniteti rom nuk mundet që të harronte dhunën sistematike që policia bashkiake ka ushtruar vazhdimisht ndaj tyre duke i prishur banesat dhe lënë në qiell të hapur.

Ka dështuar për shkak të bojkotit në masë takimi i programuar dje në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit mes kryesocialistit Edi Rama dhe komuniteteve rom dhe egjiptian. Pavarësisht pritjes së gjatë që salla të mbushej, pjesa dërrmuese e saj mbeti bosh çka ka bërë që kreu i PS-së të anulonte ardhjen e tij ndërsa organizatorët të përcillnin mediat duke u justifikuar se shkak për këtë ishte një ngatërresë për orarin e këtij aktiviteti. 

Por ndërsa për këtë dështim u bënë fajtorë romët “e pavëmendshëm” ndaj njoftimit, cilat janë mëkatet e kryebashkiakut Rama ndaj kësaj shtrese? 

Nevoja e ethshme për alibi për kërkesën e  kartave falas e ka detyruar kreun e socialistëve që të zhytet deri në skutat më të mjera të kryeqytetit shqiptar tek ata njerëz që tradicionalisht kanë qenë shtresa me e prapambetur e shoqërisë si nga ana ekonomike ashtu edhe në aspektin kulturor. Për më tepër mossigurimi në masë në regjistrat themeltarë të gjendjeve civile i kësaj shtrese dhe mospërfitimi kësisoj i asnjë lloj lehtësie nga ana e organizmave shtetërore e ka bërë në këto vite tranzicioni edhe më vulnerabël këtë komunitet. Pragmatizmi politik ka imponuar një sjellje krejtësisht të ndryshme kryetarit të bashkisë së Tiranës me këta njerëz. Nëse për vite me radhë deri pak muaj më parë, i vetmi “mjet komunikimi” ishin fadromat e Policisë Ndërtimore që prishnin banesat-baraka të romëve dhe egjiptianëve në zona të ndryshme të Tiranës ku më e njohura mbetet ajo e Bregut të Lumit, tashmë Rama ka vendosur që të ulet me ta gju më gju për të kuvenduar për punë të mëdha, për të drejtën kushtetuese të votës, për politikën e re që të çon përtej së majtës dhe të djathtës. 

Por pavarësisht kufizimeve kulturore, eksperienca (në mos e konkretizuar kjo me provimin e dhunës së policisë bashkiake) u ka mësuar romëve që të mos i besojnë aq lehtë ndryshimit të papritur të kryebashkiakut. Në deklarata të ndryshme sporadike mbi atë çka Rama konsideron si planin e ri urbanistik të Tiranës që ende ngurron që ta bëjë publik, zona e Bregut të Lumit parashikohet që të shndërrohet në një park publik linear. E megjithatë kryetari i bashkisë në asnjë rast nuk ka bërë me dije se çfarë do të ndodhë me qindra banorët romë që jetojnë aty prej vitesh, duke i trajtuar ata as me shumë e as më pak posi mbetjet inerte buzë lumit të Lanës. 

Veç të tjerash romët nuk mund të harrojnë poshtërimin që besojnë çdo fundvitit kur rijnë për ditë me radhë te dera e Bashkisë në pritje të marrjes së asistencës sociale për të mundësuar kështu një kremtim sado modest të natës së ndërrimit të viteve. Edi Rama ishte gatitur që të fliste dje për trajtimin social dhe riintegrimin e shtresave më në nevojë por përballë një repertori të dhunës, përbuzjes dhe arrogancës ndaj këtij komuniteti ndër viti, gjithçka ngjante as më shumë e as më pak sesa një fasadë. Dështimi i takimi të djeshëm pra ishte një përgjigje e paralajmëruar e një sjelljeje të dyfishtë, e një shtirrje me qëllim fitimin e një imazhi ndryshe që kryebashkiaku Rama nuk po mundet që ta fitojë. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›