E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti, paratë e emigrantëve, “serumi” që mban ekonominë vendase

Në 2007-n ra norma e rritjes së dërgesave nga emigrantët. Paratë e shqiptarëve jashtë investohen në pasuri të paluajtshme

Ervin Koçi

Paratë që emigrantët shqiptarë nëpër botë kanë sjellë deri dje për familjet e tyre në Shqipërisë, duket se kanë nisur që të bien, edhe pse niveli i këtyre prurjeve konsiderohet akoma si i lartë. Nga specialistët e ekonomisë, por dhe nga institucionet monetare në vend, dërgesat e emigrantëve në drejtim të vendit tonë, vlerësohen ende si peshë domethënëse në plotësimin e hendekut të deficitit tregtar. Por sipas Bankës së Shqipërisë, ky lloj “serumi” që po mban ende në këmbë ekonominë e brishtë shqiptare, e cila akoma nuk po vendos t’i kthehet prodhimit vendas, duket se po shter. Vitin e fundit (2007) totali i të gjitha dërgesave rezultoi në shifra më të ulëta, duke dëshmuar se të ardhurat e emigrantëve po fillojnë të investohen në pasuri të paluajtshme apo instrumente financiarë në vendet ku ata janë rezidentë. Sipas raportit vjetor të BSH-së për vitin 2007, theksohet se totali i dërgesave nga emigrantët, atë vit u vlerësua në rreth 947 milionë euro me një rritje vjetore prej 1.3 për qind ose 12 për qind e PBB-së. Megjithatë ky nivel dërgesash përfaqësoi këtë herë peshën më të ulët të viteve të fundit, në një kohë kur transfertat luajnë rolin e faktorit zbutës në deficitin e krijuar. Në bazë të raportit të BSH-së, kjo normë rritjeje vlerësohet si më e ulëta këto dhjetë vitet e fundit, kur norma mesatare e rritjes ka qenë vetëm 11.7 për qind.

Shkaku

Rritja vjetore e transfertave të emigrantëve konsiderohet e ulët si pasojë e ndryshimeve të ndodhura me natyrën e remitancave të emigrantëve shqiptarë. Sipas BSH-së ky fakt shpjegohet me zhvendosjen e një pjese të flukseve valutore të emigrantëve, për qëllim investimi në Shqipëri, si pasuri të paluajtshme apo investim në instrumente financiare, por edhe investimeve të bëra padyshim në vendet rezidente. Kontributi i këtyre dërgesave në zbutjen e deficitit tregtar llogaritet në rreth 44 për qind, me një rënie prej 11 pikë përqindjeje kundrejt vitit të kaluar. Sipas BSH-së, transfertat zyrtare, kryesisht në formë asistence teknike, vlerësohen në masën 60 milionë euro, duke regjistruar një rritje prej 18 milionë eurosh kundrejt një vitit më parë.

Bilanci

BSH-ja vlerëson se sektori i jashtëm i ekonomisë gjatë vitit 2007 regjistroi një thellim të mëtejshëm të deficitit të llogarisë koherente, i cili vlerësohet të ketë arritur në 11 për qind të PBB-së, krahasuar me 7.3 për qind një vit më parë. Zgjerimi i deficitit korent pasqyron aktivitetin e shtuar të shkëmbimeve tregtare, i cili pavarësisht rritjes së eksporteve, ka regjistruar një deficit tregtar në rritje. Ashtu si dhe në periudhat e mëparshme, dërgesat nga emigrantët kanë financuar pjesën më të madhe të bilancit tregtar (rreth 44 për qind). Megjithatë, duhet theksuar se rritja e tyre në vitin 2007 ishte vetëm 1.3 për qind. Gjithashtu, ky vit karakterizohet edhe nga një rritje e madhe e flukseve të kapitalit përfaqësuar kryesisht nga investime të huaja direkte. Treguesi relativ i këtyre kundrejt PBB-së u vlerës në 6 për qind, me një rritje prej rreth 2 pikë përqindjeje kundrejt një vitit më parë.

Leku

Krahasuar me një vit më parë, gjatë vitit 2007 leku paraqiti një luhatshmëri me të lartë. Sipas raportit, rritja e dinamikës reflekton zhvillimet e tregjeve ndërkombëtare si dhe pjesëmarrjen më aktive të agjentëve vendas në tregun valutor. Krahas reflektimit të zhvillimeve në tregun ndërkombëtar (ku dollari ka humbur pikë të vazhdueshme ndaj euros, duke pasqyruar problemet e ekonomisë amerikane), kursi i këmbimit të lekut kundrejt valutave është ndikuar nga ndryshimi i raporteve kërkesë-ofertë në tregun vendas. Leku është forcuar në periudhat sezonale të prurjeve të emigrantëve për valutë, të konvertimit të kapitalit të disa bankave dhe hyrjeve nga privatizimi. Pozitat e lekut janë forcuar në mënyrë të vazhdueshme ndaj dollarit amerikan, mesatarisht 7.8 për qind, duke arritur në 83.38 lekë/usd në fund të 2007-ës, ndërkohë që kanë qenë të luhatshme kundrejt euros. Në terma mesatarë, euro është kuotuar 123.63 lekë gjatë vitit 2007, ndërsa kapi minimumin në fund të muajit dhjetor, 120.91 lekë.

Të ardhurat faktoriale u rritën 3.6 për qind në 2007-n

Bilanci pozitiv i të ardhurave faktoriale në fund të vitit (216 milionë euro), vlerësohet të jetë rritur vetëm 3.6 për qind kundrejt vitit paraardhës. Kjo rritje pasqyron rënien e të ardhurave nga puna e punëtorëve sezonalë dhe atyre kufitarë, me 10 për qind në terma vjetorë. Shqipëria gjatë vitit 2007 ka paguar 24 milionë euro për të shlyer interesat mbi borxhin e saj të jashtëm, të cilat vlerësohen lehtësisht në rënie kundrejt vitit 2006 (4 për qind).

BSH, vlera e arit të depozituar 923 milionë lekë

Vlera e arit të vendosur në depozita, në Bankën e Shqipërisë, në dhjetor të 2007-s, u rrit në 923 milionë lekë nga 797 milionë lekë që ishte në vitin 2006. Këto të dhëna janë publikuar në raportin më të fundit të Bankës së Shqipërisë, mbi statistikat. Sipas BSH-së, ari është vlerësuar me kursin e këmbimit fiks të Londrës në datën e bilancit. Më 31 Dhjetor 2007, një onz ar u vlerësua me 836.5 USD (2006 –635.7 USD).

15 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›