Gjykata e rrethit të Gjirokastrës vendosi të enjten masën e sigurisë
Gjykata e rrethit të Gjirokastrës vendosi të enjten masën e sigurisë 'burg pa afat' për dy të rinj të arrestuar katër ditë më parë, nën akuzën e grabitjes më dhunë të 4 personave, dy prej të cilëve emigrantë. Prokurori i çështjes, Spartak Çoçoli, kërkoi që të pandehurit Sajmir Kaba, 20 vjeç dhe Fisnik Logli, 25 vjeç, të qëndrojnë në izolim deri në përfundim të procesit gjyqësor. Ai shtoi se dy të pandehurit kanë konsumuar dhe vepra të tjera penale, por për arsye hetimi ato nuk bëhen të ditura. Ndërkohë, burime zyrtare nga policia e qarkut të Gjirokastrës thanë për ATSH-në se "prokuroria ushtarake ka filluar paralelisht ndjekjen penale ndaj 20 vjeçarit Sajmir Kaba, me akuzën 'dezertim nga detyrimi ushtarak'. Sipas të njëjtit burim, grabitja më e fundit për të cilën akuzohet 20 vjeçari ka ndodhur pesë ditë përpara se të përfundonte detyrimin ushtarak. Sipas ligjit, Kaba do të përgjigjet penalisht edhe për akuzat 'dezertim nga ushtria' dhe 'shpërdorim detyre', pasi ai dyshohet të ketë përdorur armën e shërbimit për të kryer grabitjen. Ngjarja për të cilën akuzohet 20 vjeçari Kaba dhe 25 vjeçari Logli ndodhi katër ditë më parë. Të dy së bashku, sipas hetimeve, ata kanë marrë në makinën e tyre dy emigrantë nga Tepelena, të cilët më pas i kanë grabitur nën kërcënimin e armës. Pas këtij krimi dy autorët janë strehuar në banesën me qera të dy nxënësve të shkollës së mesme pedagogjike, të cilët janë grabitur dhe dhunuar prej tyre.