PD-PS mbyllin fushatën,Berisha: Me ne për ëndrrën evropiane. Rama: Edhe 36 orë nga ndryshimi i historisë
ADI SHKEMBI
Pas 30 ditësh, Partia Demokratike mbyll fushatën elektorale në Tiranë, ku i bën thirrje qytetarëve për herë të fundit të votojnë nr. 10 në fletën e votimit. Nën ritmet e himnit të kësaj fushate “Shqipëria po ndryshon”, por edhe të këngës “We can win the race” (ne mund të fitojmë garën) të grupit të njohur Modern Talking, dhjetëra mijëra qytetarë u mblodhën në Sheshin “Skënderbej”, 36 orë përpara se t’u drejtohen kutive të votimit, për të përcaktuar partinë që do t’i qeverisë gjatë katër viteve të ardhshme.
Berisha
I sapoardhur nga mitingu i mbylljes së fushatës në Durrës, Kryeministri Sali Berisha tha se nga sheshi “Skënderbej” nis uragani i fitores së PD-së. “Sot nga ky shesh dua t’i drejtoj një apel mbarë Shqiptarëve; të bashkohemi së bashku në ëndrrën tonë evropiane, të bashkohemi se ëndrra jonë i pranon të gjithë, se ëndrra jonë i fton të gjithë, se ëndrra jonë i mirëpret të gjithë. Projekti i Shqipërisë evropiane është projekti më i bukur, më madhështor i të ardhmes që meritojmë”, iu drejtua kreu i qeverisë qytetarëve gjatë mitingut të djeshëm. Gjatë fjalës së tij, e cila zgjati rreth 25 minuta, Berisha gjeti rastin t’i rikthehej për herë të fundit në këto katër vite arritjeve të mandatit të parë, ku vuri theksin te lufta kundër korrupsionit, anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si dhe rritjen e pagave dhe pensioneve. Sipas kreut të qeverisë, fushata për zgjedhjet e 28 qershorit ka qenë më intimja e tij në këto 20 vite, ku vetëm gjatë 30 ditëve komunikoi me 1.7 milion qytetarë për programin e ri të PD-së. Nga sheshi kryesor i Tiranës, ai iu drejtua edhe ish pronarëve dhe atyre që preken nga legalizimi, dy kategori që kanë votuar gjithmonë për PD-në në zgjedhje. “Unë ju jap fjalën se sa herë të votoni, rrogat dhe pensionet tuaja do të rriten gjithnjë e më shumë. Të bashkohemi për t’i dhënë përgjigjen më të shkëlqyer problemeve të pronave dhe reformës së pronësisë. Pronarë shqiptarë, mos harroni kurrë se me ne u kthye prona, se ne bëjmë avokatinë tuaj, se ne bëmë pronarë mbi 8 qind mijë familje shqiptare, se ne qëndrojmë deri në momentin e fundit për t’i dhënë zgjidhjen më të shkëlqyer ligjore pronave tuaja. Ne do të përfundojmë në afatin dhe kohë legalizimet dhe kompletojmë reformën e pronësisë”, u shpreh Berisha.
Mitingu
Ndryshe nga mitingu i hapjes së fushatës, dje nuk ishte e gjithë skena për Kryeministrin Berisha. Rreth orës 19:45 në skenë u ngjitën kandidatët për deputetë të Tiranës por edhe krerët e 12 qarqeve, të cilët iu drejtuan qytetarëve të pranishëm për të mbështetur edhe për katër vite këtë forcë politike. Pjesë e mitingut të djeshëm ishin këngëtarët që kanë shoqëruar Kryeministrin Berisha gjatë gjithë fushatës elektorale por edhe grupi i njohur Modern Talking, i cili performoi live disa nga këngët e repertorit të tij. Për më shumë se tre orë në shesh binte në sy pjesëmarrja e madhe e forcave të rendit, të cilat përveç pranisë së tyre pranë podiumit, ishin edhe pranë Ministrisë së Brendshme. Dy kordonë nga dy anët e rrugës ishin vendosur për të parandaluar çdo incident mes militantëve të dy forcave politike, mitingjet e të cilëve ishin në të njëjtën kohë.
Rama: Të ndryshojmë historinë
Aristir Lumezi
Socialistët mbyllën fushatën elektorale me një miting të madh para Kryeministrisë, ndërsa Edi Rama u tha shqiptarëve se edhe “36 orë na ndajnë nga dita që do të ndryshojmë faqen e historisë me votën tonë”. Socialistët konkretizuan dje mitingun e tyre përmbyllës, përgatitjet e të cilit nisën me incidente dhe tensione mes mbështetësve të PS-së dhe policisë së Tiranës. Mes një dekori të kujdesshëm dhe të shtrirë nga godina e Kryeministrisë deri në hotel “Dajti”, festa e djeshme nisi me këngë të grupit ‘West Side Family’, ndërsa në orën 20:00 aleatët e PS-së dhe kryesuesit e listës në qarqe të ndryshme shprehën besimin në fitoren e PS-së ditën e diel. Duke marrë fjalën në këtë miting, kryetari socialist argumentoi pse shqiptarët duhet të votojnë Partinë Socialiste. “Kaluan 4 vjet qysh se e nisëm këtë rrugë së bashku. Qindra mijëra km rrugë, qytet më qytet, e fshat më fshat, dhjetëra mijëra zëra e histori njerëzore vuajtjesh, shpresash të mbledhura në kujtesë. Ngado nëpër Shqipëri një nevojë e thellë për ndryshim, e cila dalëngadalë doli në sipërfaqe, edhe sot është kthyer në këtë det njerëzor që pas 36 orësh do të derdhet drejt kutive të votimit, për të ndryshuar politikën e këtij vendi, për të sjellë kohë më të mira për këtë vend, për t’i dhënë një ditë secilit prej nesh, krenarinë që të thotë: “Po, unë votova atë ditë, kur e gjitha filloi. Ishte 28 qershor 2009”, tha Rama në fjalën e tij. Duke premtuar liberalizim vizash, tekste shkollore për fëmijët, zgjatjen e lejes së lindjes për nënat e reja dhe sigurim të tyre, shërbim shëndetësor të mirëfilltë me të gjitha kushtet e standardet evropiane, Rama theksoi se vota më 28 qershor do të shërbejë për një Shqipëri ku fshati jeton denjësisht, ku uji nuk mungon dhe ku shteti nuk është më i pushtetarëve, por i qytetarëve”. Duke i kërkuar votën shqiptarëve, Edi Rama tha se çdo shqiptar duhet ta vlerësojë këtë votë më të rëndësishme se votën e vitit 1992, mes ndërrimit të sistemeve. “Unë votova më 28 qershor për një Shqipëri ku shteti të mos ishte më i pushtetarëve, por i qytetarëve dhe pasuritë tona të përbashkëta të mos ishin më plaçkë për qeveritarët, por burim mirëqenie për të gjithë shqiptarët. Me votën time unë mora pjesë në historinë e jashtëzakonshme që i dha fund të vjetrës në pushtet dhe i dha jetë një pushteti të së resë. Që e gjitha kjo të fillojë më 28 qershor dhe që pas 36 orësh Shqipëria të hyjë në një rrugë të re përmes një politike të re të ndryshimit të gjithçkaje që nuk ndryshon prej 18 vjetësh”, tha Rama. Duke premtuar liberalizim vizash, tekste shkollore për fëmijët, zgjatjen e lejes së lindjes për nënat e reja dhe sigurim të tyre, shërbim shëndetësor të mirëfilltë me të gjitha kushtet e standardet evropiane, Rama theksoi se vota më 28 qershor do të shërbejë për një Shqipëri ku fshati jeton denjësisht, ku uji nuk mungon dhe ku shteti nuk është më i pushtetarëve, por i qytetarëve. “Kjo është beteja e Shqipërisë ndaj analfabetizmit, papunësisë, varfërisë, korrupsionit, dhunës, minatorëve të vuajtur, fshatarëve të varfër, ndaj ne do ta fitojmë”, u shpreh Rama. Kreu socialist u shpreh i bindur për fitoren e betejës, sepse Shqipëria nuk mund të humbasë dhe se ajo qëndron përtej të majtës dhe të djathtës. “Ne do ta fitojmë këtë garë për të fituar qytetarët dhe jo pushtetarët siç ka ndodhur gjithnjë”, tha më tej Rama.
Kryetari socialist ftoi qytetarët që të votojnë për të bërë kështu që politika të jetë mjet shërbimi në funksion të tyre. “Më 28 qershor do të largojmë kryeplakun e politikës shqiptare dhe oborrtarët e tij. Këto janë orët për ndryshimin e madh”, tha Rama, duke i ftuar të gjithë të votojnë për alternativën e Partisë Socialiste të Shqipërisë.