Shkatërrohen dy automjete, një me zjarr dhe një me armë
Dy makina janë shkatërruar me armë dhe janë djegur nga persona të ndryshëm për shkak të konflikteve që kanë pasur me poseduesit e tyre. Ngjarjet kanë ndodhur në kryeqytet gjatë kësaj jave, ndërkohë që policia ka identifikuar autorët e njërit prej rasteve. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se rasti i parë është regjistruar ditën e martë, kur një mjet tip "Ford" me targa TR 6052 D, në pronësi të Marildo M, është gjetur i shkatërruar nga plumbat e një arme automatike. Menjëherë, policia e kryeqytetit ka nisur hetimet për këtë rast, duke identifikuar të dyshuarit. Sipas të dhënave hetimore, në lidhje me këtë ngjarje janë shpallur në kërkim Andi Sh., 18 vjeç dhe Erind M. 19 vjeç. Këta dy persona dyshohet se kanë kryer këtë akt pas një konflikti me poseduesin e mjetit. E njëjta gjë mendohet se ka ndodhur me një tjetër mjet të djegur mbrëmjen e së mërkurës. Burimet policore të kryeqytetit shpjeguan se shërbimet e Komisariatit Nr. 4 janë njoftuar se në rrugën "Shyqyri Peza", parkuar para një pallati është djegur mjeti fugon "Mercedes Benz", me targë TR 4628 H, në pronësi të Zef P., 52 vjeç. Sipas të dhënave policore, i dëmtuari ka deklaruar se nuk ka ndonjë konflikt personal, apo konkurrencë, por policia dyshon se e gjithë kjo mund të ketë ardhur për shkak të ndonjë sherri të vjetër. Megjithatë, deri në orët e vona të natës, ende nuk ishte zbardhur kjo ngjarje dhe ende vazhdon puna për identifikimin e autorëve të saj.
Ble. Gi.