Humb jetën i moshuar në Berat, dyshohet nga i ftohti
Berat – Një i moshuar u gjet i pajetë dje në Berat. I ndjeri është identifikuar si Hysen Hyseni, 65 vjeç, lindur e banues në fshatin Rehovë pranë qytetit të Beratit. Policia e sinjalizuar për ngjarjen tha për gazetën “Albania” se u informua për ngjarjen nga banorë të fshatit. Po sipas policisë, një person i pajetë u gjend jo larg banesës së tij në Rehovë. I ndjeri ishte gjetur nga disa banorë, të cilët konstatuan se bashkëfshatari i tyre nuk kishte reaguar ndaj thirrjeve të tyre, ndaj dhe ata kanë lajmëruar policinë duke e menduar të pajetë. Dyshimet e para të policisë janë për një vdekje të ardhur ndoshta nga i ftohti. Por për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e vdekjes do të nevojitet kryerja e një ekspertize mjeko-ligjore. Viktima njihej nga banorët e lagjes si njeri që jetonte prej vitesh i vetmuar në banesën e tij në Rehovë të Beratit.
3 Shkurt 2009