Gjykata i thotë jo lirimit të Delijorgjit e Pinarit
Gjykata e Faktit ka hedhur poshtë kërkesën për lirim nga burgu të dy të pandehurve të çështjes “Gërdeci”, Mihal Delijorgjit e Ylli Pinarit. Togat e zeza e quajtën të paligjshme kërkesën e avokatëve, pasi të pandehurve nuk u kanë përfunduar afatet e paraburgimit, e argumentuar kjo me ndërprerje të mëdha dhe të herëpashershme të gjykimit. Sipas gjykatës, prej 6 muajsh pati një ndërprerje të seancave gjyqësore. “Ka edhe rreth 5 muaj afat paraburgimi”, theksoi dje kreu i trupit gjykues, Ridvan Hado.
Gjykata e Shkallës së Parë ka rrëzuar kërkesën për lirim nga burgu të dy të pandehurve të çështjes “Gërdeci”, Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari. Sipas vendimit të gjykatës, të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit nuk do të dalin nga qelitë e paraburgimit, edhe pse avokatët kërkuan lirimin e tyre me pretendimin se kishin përfunduar afatet e qëndrimit pas hekurave. Sipas trupit gjykues, kërkesa është e paligjshme, pasi nuk kanë përfunduar afatet e paraburgimit të të pandehurve, sepse gjatë kohës së gjykimit, ka pasur ndërprerje të mëdha të procesit. Kështu, ata kanë sqaruar se prej 6 muajsh pati një ndërprerje të seancave gjyqësore dhe kjo për shkak të konfliktit, prokurori-politikë për heqjen e imunitetit të një prej ish të pandehurve. Kreu i togave të zeza ka deklaruar se të pandehurve iu kanë mbetur edhe disa muaj nga afati i paraburgimit. I këtij mendimi ka qenë edhe grupi i prokurorëve të dosjes “Gërdeci”, sipas të cilëve, afatet në paraburgim nisin kur mbërrin dosja në gjykatë.
Dy të akuzuarit kryesorë, si shkaktarë të tragjedisë së Gërdecit, Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji, kanë kërkuar lirinë me arsyetimin se përfunduan afatet e paraburgimit. Ish-drejtori i kompanisë së shitblerjes së armëve, MEICO, dhe pronari i kompanisë “AlbaDemil”, pretendojnë se ka skaduar çdo afat paraburgimi dhe kanë kaluar 16 muaj dhe ende nuk ka për ta një vendim gjykate. Kërkesat janë depozituar në seancën e 19 korrikut nga avokatët e të pandehurve. Pas këtij pretendimi, reaguan përfaqësuesit e akuzës, të cilëve argumentuan se afati i paraburgimit nis në kohën kur mbërrin dosja hetimore në gjykatë. Kodi i Procedurës Penale në nenin 263 thotë shprehimisht se “paraburgimi e humbet fuqinë, në rast se pas dorëzimit të akteve në gjykatë kanë kaluar 12 muaj pa u dhënë një vendim nga Shkalla e Parë për Krime, që dënohen jo më pak se dhjetë vjet apo me burgim të përjetshëm”. Dosja e tragjedisë së Gërdecit kaloi një odise disamujore, derisa përfundoi në duart e Kolegjit Penal të Gjykatës së Tiranës, Ridvan Hado, Shefkie Demiraj dhe Fatmira Hajdari. Plot një vit pas tragjedisë së Gërdecit, prokuroria dorëzoi aktet në Gjykatën e Lartë, ku mes 29 të pandehurve kishte nën akuzë edhe ish-ministrin Fatmir Mediu. Gjykata e Lartë mbajti vetëm Fatmir Mediun, ndërsa 28 të tjerët ia kaloi gjykatës së kryeqytetit. Dosja u regjistrua në mes të muajit qershor 2009 dhe sipas llogarive kanë kaluar plot 12 muaj dhe gjykata nuk ka arritur të shprehet me vendim. çështja “Gërdeci” me 28 të pandehur, 4 prej të cilëve në pranga dhe mbi 400 dëshmitarë, të cilët aktualisht janë duke dhënë dëshmitë e tyre para gjykatës, konsiderohet më e madhja në historinë e gjyqësorit. Akuza e ka vlerësuar “Gërdecin” si një gabim njerëzor, ndërsa pala e pandehur pretendon për një sabotazh. Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm të ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish-fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur. Ndërkohë u regjistruan dëme të mëdha në banesa e biznese.
#