E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata i vendos sekuestrollogarive të spitalit “Hygeia”

TIRANE - Spitalit “Hygeia” në Tiranë, i janë bllokuar llogaritë bankare, për shkak të një borxhi të pashlyer ndaj një kompanie farmaceutike. Një vendim i Gjykatës së Tiranës, i datës 18 mars 2013, ka vendosur sekuestron konservative mbi llogaritë bankare të shoqërisë “Hygeia Hospital – Tirana”, për borxhin ndaj kompanisë “Cosmofarma”, në shumën e 21.209.433.16 lekësh.

Në bazë të kontratave të lidhura mes palëve, spitali privat porosiste medikamente apo mjete të tjera spitalore. Kompania i importonte, i magazinonte dhe spitali i tërhiqte sipas nevojës. Ndërsa pagesa e porosisë, sipas një kontrate tjetër, duhet të bëheshin brenda 90 ditëve nga moment i dorëzimit të faturës. Por, sipas padisë së kompanisë “Cosmofarma”, spitali “Hygeia” pranote faturat, ndërsa “harronte” të bënte pagesat, që në total, kapin shifrën e 21.209.433.16 lekësh. Pas disa përpjekjeve, kërkesave e bisedimeve, kompania farmaceutike ka parë si të vetmen zgjidhje, gjykatën.

Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, më 18 mars 2013, gjyqtari Altin Shkurti, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore publike çështjen civile me Nr. Akti 240, që i përket ndërgjyqësve. Sipas dokumentit të vendimit të gjykatës, “kërkuesi Shoqëria 'Cosmofarma' Sh.p.p. i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesë për marrjen e masës për sigurimin e padisë duke u vendosur bllokimi i llogarive bankare dhe aseteve të Shoqërisë 'Hygeja Hospital- Tirana' Sh.A. për shumën 21.209.433.16 lekë.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes rezultoi se: Kërkuesi shoqëria 'Cosmofarma' Sh.p.p. është një shoqëri që ushtron veprimtarinë e saj në fushën e importimit dhe tregtimit të produkteve mjekësore e farmaceutike. Me datë 26.05.2011 kërkuesi, shoqëria 'Cosmofarma' Sh.p.p. ka nënshkruar me shoqërinë 'Hygeja Hospital - Tirana' Sh.a. kontratën Nr.4, të emëruar 'Kushtet e pagesës së furnitorëve', kontratë me të cilën nga palët është parashikuar, se 'Hygeia Hospital - Tirana' Sh.a. do të paguajë çdo faturë të lëshuar nga furnitori brenda 90 ditëve nga data e lëshimit të saj.

Në datën 24.05.2011, nga Hygeia Hospital - Tirana' Sh.a. kërkuesit i është paraqitur kërkesa me shkresën Nr.144 Prot., për të porositur e importuar për llogari të saj, një sasi të përcaktuar medikamentesh të nevojshme për spitalin 'Hygeia', sipas listës dhe sasive të paraqitura në listën bashkëngjitur kësaj kërkese. Kërkuesi e ka realizuar tërësisht porosinë e marrë dhe ka realizuar të gjithë procedurat ligjore për importimin e sasive të kërkuara nga shoqëria 'Hygeia Hospital - Tirana' Sh.a.

Kjo sasi medikamentesh u depozitua në magazinën e shoqërisë 'Cosmofarma' Sh.p.k., nga ku shoqëria 'Hygeia Hospital - Tirana' Sh.A. ka tërhequr sasi të ndryshme. Pavrësisht porosisë së bërë dhe realizimit të importimit të produkteve nga kërkuesi, shoqëria 'Hygeia Hospital - Tirana' Sh.a. nuk ka likujduar një pjesë të vlerës së produkteve të kërkuara në shumën 5.432.155 lekë”, thuhet në vendimin e gjykatës. Më tej, është sqaruar, se borxhi është thelluar edhe më tej në vitin 2012, kur “Hygeia” ka marrë medikamente pranë “Cosmofarma”, por ka vazhduar të mos shlyejë detyrimet.

“Po kështu, gjatë vitit 2012, shoqëria 'Hygeia Hospital - Tirana' Sh.a. është furnizuar edhe me medikamente të tjera nga kërkuesi. Pavarësisht faktit të paraqitjes dhe pranimit të faturave tatimore shoqëria 'Hygeia Hospital - Tirana' Sh.a. nuk ka likujduar pagesën e një sërë faturave të furnizimit të bërë të kërkueshme në shumën 15.777.278.16 lekë. Kërkuesi pretendon. se në total detyrimi i shoqëria 'Hygeia Hospital - Tirana' Sh.A. është në vlerën 21.209.433.16 lekë.

Kërkuesi i është drejtuar disa herë me kërkesa shoqërisë 'Hygeia Hospital - Tirana' Sh.A. për shlyrjen e detyrimit, por një gjë e tilë nuk është e bërë e mundur”, thuhet më tej në dokumentin e siguruar nga Shqiptarja.com, në Gjykatën e Tiranës. Kështu, sipas dokumentacionit të gjykatës, avokati i “Cosmofarma”, Eno Bushi, “i është drejtuar gjykatës me kërkesën objekt shyrtimi me të cilën kërkon marrjen e masës për sigurimin e padisë duke u vendosur bllokimi i llogarive bankare dhe aseteve të Shoqërisë 'Hygeja Hospital-Tirana' Sh.a., për shumën 21.209.433.16 lekë”.

Sipas vendimit të gjykatës, çmohet, se kërkesa e kërkuesit për vendosjen e masës së sigurimit të padisë është e bazuar në ligj. Masa e sigurimit të padisë duhet të vendoset pa u ngritur padia, sepse ekzekutimi i vendimit për inetresat e kërkuesit, do të bëjë të vështirë ekzekutimin e vendimit për të drejtat e kërkuesit. Për rrjedhojë gjykata çmon që në rastin objekt shyrtimi gjyqësor duhet të merret masa e sigurimit të padisë duke vendosur sekuestron konservative mbi llogarive bankare dhe/ose aseteve e sekuestrueshme shoqërisë 'Hygeia Hospital - Tirana' Sh.a.

Pas gjithë këtyre, më 13.03.2013, Gjykata e Tiranës vendosi “marrjen e masës së sigurimit të padisëm duke vendosur sekuestron konservative mbi llogaritë bankare dhe/ose asetet e shoqërisë 'Hygeia Hospital - Tirana' Sh.a. për shumën 21.209.433.16 lekë; masë sigurimi kjo që vendoset me kushtin që kërkuesi Shoqëria “Cosmofarma” Sh.p.k. të paraqesë padi në gjykatë brenda afatit 15 ditor nga shpallja e këtij vendimi”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›