E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Shtetit marrëveshje bashkëpunimi me CEPOL

TIRANE - Ndërmjet Qendrës së Formimit Policor në Policinë e Shtetit dhe CEPOL, Kolegjit të Policive Europiane, gjatë ditës së djeshme u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi në praninë e Drejtorit të Kolegjit Policor Europian z. Ferenc Banfi dhe Drejtorit të Bordit të Kolegjit Policor Europian, z.Fitan Fanning, etj. 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, gjatë fjalës së tij theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes do t'i japë mundësi Policisë së Shtetit për të përafruar shkollimin dhe trajnimin policor me praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian, duke përfituar nga pjesëmarrja në aktivitetet e shumëllojshme trajnuese të CEPOL. 

"Është e vërtetë, që vitet e fundit disa përfaqësues të organizatës policore të Policisë së Shtetit kanë marrë pjesë në aktivitete të organizuara dhe të financuara nga CEPOL, gjë për të cilën gjej rastin të falënderoj Drejtorin e CEPOLI-it dhe drejtorin e bordit të këtij kolegji. Por nënshkrimi i kësaj marrëveshje të bashkëpunimit policor, me këtë organizatë prestigjioze të Bashkimit Europian, i jep një rëndësi të veçantë Policisë së Shtetit në drejtimin e shkollimit, trajnimeve dhe arsimimit në përgjithësi të organizatës të Policisë së Shtetit", u u shpreh Burgaj. 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit garantoi drejtuesit e CEPOL se Organizata Policore Shqiptare do të jetë gjithnjë e hapur, transparente, bashkëpunuese për të arritur standardet më të mira të Bashkimit Evropian. 

Ndërkohë Drejtori i Kolegjit Policor Europian, z. Ferenc Banfi, duke iu referuar nënshkrimit të kësaj marrëveshje bashkëpunimi, tha se "nënshkrimi i kësaj marrëveshje i hap derën jo vetëm bashkëpunimit Shqipëri-CEPOL, por për më tepër bashkëpunimit me 30 institucione kombëtare të arsimimit policor në të gjithë Europën. Ne e ndajmë partneritetin tonë bazuar në cilësi. Partnerët tanë do të bashkëpunojnë me ju, jo vetëm si mësues nxënës, por gjithashtu do të mësojnë nga eksperienca juaj".
Duke folur për bashkëpunimin rajonal z. Banfi u shpreh Shqipëria luan një rol shumë të rëndësishëm në këtë bashkëpunim, duke përmendur Konventën e Bashkëpunimit Policor, projektin SELEC. 

Kolegji Policor Europian, CEPOL, është institucion i Bashkimit Europian, me qendër ne Bramshill të Mbretërisë së Bashkuar. Si institucion me personalitet ligjor, CEPOL funksion si rrjet që bashkon institucionet kombëtare të trajnimin, që kanë për objekt pune trajnimin e oficerëve te policisë. 

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje konfirmon ngritjen e nivelit e të bashkëpunimit ndërmjet Qendrës së Formimit Policor me CEPOL.
Në kuadër të kësaj marrëveshje Qendra e Formimit Policor do të ftohet të dërgojë përfaqësues për të marrë pjesë në takimet e Grupit të Punës të Marrëdhënieve të Jashtme për aq kohë sa kjo Marrëveshje Bashkëpunimi është në fuqi.
Po ashtu Qendra e Formimit Policor mund të kontribuojë në kurset e trajnimit të CEPOL, duke mbështetur Vendet Anëtare të BE, që organizojnë kurse trajnimi; kjo mund të përfshijë dërgimin e ekspertëve të Policisë Shqiptare në kurse të tilla. Oficerë të Lartë Policie të BE dhe Personel i Agjencive të BE, që veprojnë në fushën e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme, mund gjithashtu të marrin pjesë, sipas rastit, në kurse trajnimi të organizuara nga Qendra e Formimit Policor.
(a.k/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›