E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata kërkon më shumë dokumente për Sefgjinin



Tiranë - Gjykata e Krimeve të Renda ka kërkuar dokumente shtesë për 3 të akuzuarit për rrëmbimin dhe tortura me pasoja të rënda për biznesmenin shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Seanca e djeshme nuk ka shkuar ashtu siç pritej. Prokuroria pati kërkuar pak ditë më parë që ndaj të tre të akuzuarve të merreshin masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Biznesmeni Hoxha prej 13 vitesh rezulton i humbur dhe kjo është hera e dytë që drejtësia shqiptare përpilon një dosje mbi çështjen e tij më të njëjtët të pandehur. Në momentin kur Prokuroria e Krimeve të Rënda do të plotësojë dokumentet shtesë për drejtorin e Tatimeve, Arben Sefgjini, Avni Koldashin dhe Budjon Meçen, atëherë gjykata do të mblidhet për të dhënë një vendim për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj tyre. Vetë prokurori i çështjes, Xhevat Hana, ka kërkuar masën shtrënguese arrest në shtëpi, pasi dosja ka ardhur për gjykim në këtë gjykatë. Me caktimin e masës së sigurisë pritet që ministri i Financave, Ridvan Bode, të vendosë edhe pezullimin nga detyra të kreut të Tatimeve Sefgjinit.

5 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›