Prokuroria, në 2008-n u regjistruan 1350 çështje penale
TIRANË - Mbi 1350 çështje penale janë regjistruar gjatë këtij viti në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor në Tiranë, bënë të ditur dje për gazetën “Albania” burime nga kjo prokurori. Sipas këtyre burimeve, këto çështje kanë për objekt hetimi vepra të ndryshme penale si, vjedhje, falsifikime, plagosje, kanosje, shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe abuzime me detyrën nga ana e punonjësve që ushtrojnë funksione publike etj. Çështjet e hapura nga kjo prokurori u atribuohen personave të ndryshëm, të cilët janë marrë nën hetim.
Kishte fshehur pistoletën në ndenjësen e makinës, ndalohet i riu
Tiranë – Një patrullë policie ndaloi në kushtet e flagrancës Mario Cibakun, 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Sehodoll, Dibër. Ndalimi i tij u krye nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, dy ditë më parë, në orën 23:00, në rrugën “Vaso Pasha”, gjatë kontrollit në automjetin “Wolksvagen”, poshtë sediljes, iu gjetën dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një pistoletë model 54, me një krehër me 8 fishekë.
Kishte pirë fostoksinë, vdes në spital 41-vjeçari
Kavajë - Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë morën njoftim se ka vdekur në spital shtetasi Ylmi Ibraliu, 41 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në Rrogozhinë. U kryen veprimet procedurale, nga ku rezultoi vetë personi i ishte shprehur mjekut se kishte pirë dy tableta fostoksinë, dyshohet se motivi të jetë nga depresioni. Materialet i kaluan Prokurorisë Kavajë, për veprime të mëtejshme.
Sekuestrohet “Audi A6”, ishte trafikuar në Tiranë
Tiranë – Policia ka kryer procedurat për bllokimin e një automjeti tip “Audi A6”, me targa TR 4649 P, pasi në bazë të shkresës e ardhur nga Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor, ai rezulton i vjedhur jashtë shtetit. Ky mjet u bllokua në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”, ku drejtohej nga shtetasi Roland Rakipi, 38 vjeç, lindur në Peqin dhe banues në Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës.
Vjedhja e dyqanit të këpucëve, autorë dy minorenë endacakë
Tiranë – Kanë mjaftuar vetëm 24 orë që policia të prangoste autorët e dyshuar për vjedhjen e një dyqani këpucësh pranë ish-ekspozitës, ku pas verifikimeve rezultoi se janë dy minorenët E. T., dhe J. A., 13 – vjeçarë, të pa strehë. Ndërkohë, të sipërpërmendurve u janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy palë këpucë, për të cilat dyshohet se i kanë vjedhur në këtë dyqan.
5 Maj 2008